IKShPK: Shtatë raste të reja me fruth, mbi 95% e të prekurve janë të pavaksinuar


E hënë, 7 Shtator 2026
IKShPK: Shtatë raste të reja me fruth, mbi 95% e të prekurve janë të pavaksinuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë javës së fundit në Kosovë janë regjistruar shtatë raste të reja me fruth.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 6 shtator 2026 janë konfirmuar gjithsej 158 raste me fruth.

Instituti ka theksuar se më shumë se 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.

“Këto të dhëna dëshmojnë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve dhe në parandalimin e përhapjes së sëmundjes”, thuhet në njoftim.

Tutje, IKSHPK-ja ka bërë të ditur se krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar të imunizimit, është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”.

Ky proces, sipas Institutit u mundëson vaksinimin fëmijëve që, për arsye të ndryshme, kanë shtyrë marrjen e vaksinës.

“Gjatë këtij viti, mbi 2,700 fëmijë të grup-moshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit catch-up, duke dëshmuar angazhimin e prindërve për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve të tyre”, bëhet e ditur në njoftim.

IKShPK e ka vlerësuar këtë si tregues të angazhimit të prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë për të rritur mbulueshmërinë e vaksinimit dhe për të mbrojtur fëmijët nga fruthi.

“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur”, theksohet në fund të njoftimit.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit