E martë, 20 Gusht 2013
Fabrikimi dhe rritja artificiale e votuesve serbë në pjesën veriore të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, është diçka që pritet të ndodhë, ka theksuar ish kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ),Mazllum Baraliu.
Baraliu thotë se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ai për zgjedhjet lokale e lejon mundësinë që qytetarët e komuniteteve të ndryshme, në këtë rast serbët të cilët janë shpërngulur në Serbi në vitin 1999, të marrin pjesë në zgjedhje.
“Serbët që janë shtetas të Kosovës, sipas Ligjit për shtetësi kanë mundësi të marrin pjesë në procesin zgjedhor. Me fabrikimin e votova ekziston mundësia që të ketë një debalancim ose paraqitje jo reale demografike në aspektin e votuesve veçanërisht të atyre të komunitet serb”, tha Baraliu për Telegrafin, duke potencuar se ata nuk do ta pasqyrojnë realitetin e qytetarëve aktivë dhe që mund të vijnë nga territori i Republikës së Serbisë.
Baraliu ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet ta kenë parasysh rrezikun e fabrikimit të votuesve serb, sepse çfarëdo debalancimi i raporteve demografike sipas tij, mund të shkaktojë debalanca dhe pasoja të tjera.
“Pas këtyre zgjedhjeve në bazë te marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, do të dalin organet e një pushteti që është Asociacioni i Komunave Serbe, që është pushtet i nivelit të tretë me ingerenca dhe kompetenca të rëndësishme”, ka theksuar ai.
Baraliu ka deklaruar se mbas zgjedhjeve në teren mund të krijohet disproporcion në përfaqësim në të gjitha nivelet dhe jo vetëm në nivel të asociacionit, por edhe në nivel të parlamentit të Kosovës dhe të asambleve komunale. “Kjo nuk është mirë për askënd as për demokracinë, por as për vetë komunitetet të cilat mund të pretendojnë të krijojnë superioritet në relacion me komunitetet e tjera”, tha ai./Telegrafi/
Etiketa: mazllum baraliu