E enjte, 12 Nëntor 2026

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula për Ligjin për Gjykatën Speciale dhe ligji pastaj të hyjë në fuqi automatikisht. Por Adnan Rrustemi i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se janë që të bëhet krejtësisht një nismë e re ligjore dhe që ligji aktual të rrëzohet. Ligji u procedua në Kuvend nga Komisioni për Legjislacion.
Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja ka zhvilluar negociata me Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën se si do të trajtohet ligji, por palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij.
“Ka pasur negociata me VV-në për mënyrën se si do ta trajtojmë Ligjin për Specialen. Jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligj”, tha ajo.
Deliu-Kodra ka thënë se ka pasur interpretime të ndryshme rreth Rregullores së Kuvendit, pasi PDK-ja ka konsideruar se amendamentimi i ligjit është i mundur në këtë fazë, ndërsa shumica parlamentare ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk lejohet.
“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”, deklaroi ajo.
Sipas Deliu-Kodrës, versioni aktual i ligjit duhet të rivotohet në Kuvend në përputhje me nenin 84 të Rregullores, ndërsa për miratimin e tij dhe rrëzimin e vetos së presidentes nevojiten 61 vota.
E Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se janë për një nismë të re ligjore. Por ka shtuar se do t’ia lënë Kuvendit në dorë për të vendosur.
“Sponzorisuesi vetë e ka iniciuar Ligjin, është pikërisht sponzorizuesi që vetë ka kërkuar kthimin e Ligjit nga presidentja me arsyetimet e përgjithshme dhe natyrisht është në dorën e sponzorizuesit për t’i dhënë epilog të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm. Ne jemi në një rrethanë të tillë për ligjbërje të re, për ligj të ri, duke i dhënë besimin sponzorizuesit se ka identifikuar defekte në Ligj. Ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Jemi për një nismë të re ligjore”, ka thënë ai.
“Ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Thjesht jemi për një nismë të re ligjore duke i adresuar shqetësimet, duke mos i përsëritur procedurat dhe të humbet kohë. Gjithsesi Kuvendi do t’i jap epilogun përfundimtar është në dorën e tyre për të vendosur për rivotimin e Ligjit të ri apo për të qëndruar në fuqi vetoja e presidentes”, u shpreh Rrustemi.
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se e mbështesin kërkesën e PDK-së dhe se nga Qeveria dhe Kuvendi kërkojnë që amendamentimi i ri të procedohet se ma shpejt që të jetë e mundur.
“E rrëzojmë dekretin dhe kërkojmë nga ju që sa më shpejt të nisni procedurën e amendamentimit”, ka theksuar Tahiri.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
