Dialogu, Basha tallet me Ramën


E premte, 1 Prill 2016

Tiranë – Gjatë konferencës së përbashkët me komisionerin Hahn, kreu i ekzekutivit, Edi Rama i bëri ftesë publike kreut të PD-së Basha për një tryezë të përbashkët politike në lidhje me reformën në Drejtësi.


Një ditë më vonë, dje paradite, Rama e formalizoi ftesën në drejtim të Bashës, me një shkresë zyrtare. Në pritje të një përgjigje nga ana e liderit të opozitës, Basha, ai që mori stafetën për të komentuar letrën e Ramës, ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Në përgjigjen e tij, Berisha la të kuptohet se opozita e kishte marrë seriozisht ftesën e Ramës. Këtë mendim e përforcoi edhe Basha pak më vonë, kur u shpreh se duhet vullnet dhe dialog. Ndërsa pasditja do të sillte një situatë krejt tjetër. Fillimisht opozita dha sinjale refuzimi përmes Bylykbashit, ndërsa përgjigjja për një takim, por sipas kushteve të tij, erdhi nga Basha. Ai u shpreh se ftesa e Ramës vinte 2 vite pas ftesave të përsëritura të opozitës dhe kurrsesi nuk mund të takoheshin për të biseduar për diçka që Basha e quan antikushtetuese.

Ftesa e Ramës, sinjalet pozitive nga Berisha dhe Basha

“Bazuar në eksperiencën e dialogut të nivelit të lartë që ne mbajtëm sot (pardje) kam rastin ta ftoj publikisht PD dhe lidershipin e saj të ulemi në një tryezë të nivelit të lartë mes nesh pa praninë e të tjerëve dhe do jem i gatshëm ta dëgjoj me respekt çdo shqetësim të saj, pasi unë besoj se ekziston mundësia që mos dakordësitë tona ti trajtojmë në mënyrë të civilizuar”, ishte shprehur Rama gjatë konferencës me komisionarin Hahn. Rama shkruan në letër se duhet ngritur një tryezë për dialog sy më sy për reformën në Drejtësi, duke shtuar se ky forum qeveri-opozitë duhet të bëhet pa prezencën e ndërkombëtarëve, në mënyrë që t’u jepet partnerëve prova e vullnetit të përbashkët. Në përfundim të seancës së djeshme ishte Taulant Balla ai që konfirmoi letrën e Ramës, ndërsa nuk kurseu as komentet ndaj opozitës.

“Sot zyrtarisht kryeministri i ka nisur një letër publike, kryetarit “de facto” apo “de jure” zotit Basha ku i kërkon të institucionalizohet një dialog për çështje të rëndësishme të reformës në drejtësi. Sjellja në Kuvendin e Shqipërisë na bën të kuptojmë se ka një hezitim për tu përgjigjur pozitivisht. Ndërkohë që kanë qenë ata që e kanë kërkuar sot kur vjen ftesa nuk kanë përgjigj”, tha Balla. “Dialogu është i domosdoshëm, pa dialog nuk ecet”, ishte përgjigjja e ish- kryeministrit Berisha për ftesën e Ramës.

“U desh të vijë Hani që Rama të bëjë zbulimin e madh se Shqipëria paska opozitë dhe se kreu i opozitës duhet të ftohet në dialog paçka se kryetari i opozitës e kishte ftuar të paktën 36 herë. Duhej t’i thoshte komisioneri që pa dialog me opozitën nuk ka përparim drejt integrimit. Se proceset integruese e kanë jetike këtë proces dhe ky të dilte dhe të gajaste shqiptarët me ftesën e tij që unë ftoj liderin e PD të vije të dialog. Unë mendoj se vendimin e merr Basha. Ftesa e tij vjen pas 37 ftesave që Basha i ka bërë. Mendoj se dialogu është i domosdoshëm. Pa dialog nuk ecet”, tha Berisha. Përgjigja e Berishës la të kuptohej se opozita ishte e gatshme ta pranonte ftesën e Ramës. Madje këtë gjë e përforcoi pak minuta më vonë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, duke u shprehur se përmes dialogut i duhet dhënë fund krimeve dhe krizës kushtetuese në të cilën gjendet vendi sot. “Jemi të hapur për të shmangur krimet kushtetuese dhe parandalimin e krizës kushtetuese për të dytën herë. Ka ardhur koha të shqyrtojmë themelet e Republikës për shmangie krizash. Duhet vullnet e dialog dhe ne si PD jemi të hapur, pasi nuk ia mbyll kurrë derën dialogut. Unë i jap shans konsensusit. Dua ta lexoj letrën, nuk më ka ardhur letra”, tha Basha.

Etiketa: , ,
Të fundit