E diel, 5 Nëntor 2017
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në prag të balotazhit ka ftuar kandidatët e partisë së tij për kryetarë komunash që të kenë kujdes ndaj siç i quan ai montimeve, që persona të caktuar mund t’ua bëjnë për t’i dëmtuar. Mustafa ka përmendur KTV-në, Indeksonline-in dhe RTK-në si media të cilat katër vite më parë transmetuan materiale nga të cilat ish-kryeministri ra viktimë.
Përmes Facebook-ut, Mustafa shkruan se si KTV dy herë kishte realizuar kronika të cilat më vonë u vërtetuan si gënjeshtra dhe se askush nuk u dënua për to. Thotë se këto raste e kanë dëmtuar dhe degraduar publikisht.
Ai akuzon Vetëvendosjen se në vitin 2013 i kishin vënë mikrofonat dhe kamerat e fshehta një aktivisti të tyre, të forumit të rinisë, i cili kishte takuar njerëz të LDK-së dhe iu ishte ofruar se do të kaloj në LDK.
Por sipas tij ata kishin gjetur rrugë për të organizuar një kafe me djalin e tij.
“Dhe ia montuan se ai i kishte ofruar tenderë, punësime dhe lloj-lloj shërbime të tjera”- thotë Mustafa, transmeton Express.
“Një material të tillë e plasuan edhe Indeksonline dhe RTK në prag të votimit, i cili ishe më 1 dhjetor 2013, pa pyetur për vërtetësinë e akuzave. Atëherë kur nuk kishte hapësirë të thuhet e vërteta. Më vonë hetimet e policisë dhe prokurorisë treguan se s’kishte asgjë të vërtetë. Nuk u ndërmorën masa ndaj organizatorëve, falsifikuesve dhe transmetuesve të gënjeshtrave. Qëllimi u arrit, të dëmtohet LDK dhe unë, duke ma keqpërdorur edhe familjen”, shkruan tutje ai.
Tutje ai e quan skandal edhe një kronikë të KTV-së kur u raportua se Mustafa kishte blerë shtëpi në në Stuttgart dhe se dyshohet ta ketë blerë me fonde të trepërqindshit.
“Reagova se është e pa vërtetë dhe në mbrëmje u vërtetua se shtëpia ishte pronë e një iraniani me emër të njëjtë”, shkruan ai.
Ai konsideron se këso gënjeshtra mund tu montohen edhe kandidatëve për kryetarë të komunave dhe se mund t’i dëmtojnë në prag të votimit, prandaj i ka ftuar të kenë kujdes.
“Mandatet e fituara me konstruktime të aferave, janë të dëmshme, por edhe më i dëmshëm është fakti që “fituesit” e mandateve me mashtrime të qytetarëve sillen sikur ato ti kishin fituar me meritë.
Prandaj, Arban, Agim, Haki, Lutë, Muharrem, Salih, ….. dhe ekipe te juaja, kujdes! Këta ua montojnë ndonjë rast. Duken të rinj me moshë, por metodat i kanë më të vjetra se të këtyneherëshit” – përfundon Mustafa.
Etiketa: Aktuale, Isa Mustafa, Kosovë