S’ka rritje për ekonominë e Eurozonës


E enjte, 14 Gusht 2014

Ekonomitë e Gjermanisë dhe Francës – më të mëdhatë e Bashkimit Europian, dhanë shenja aspak premtuese në fund të 3-mujorit të dytë sipas statistikave të sapo publikuara.

Shifrat e tyre kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në totalin e Eurozonës – 18 vendeve që përdorin monedhën e përbashkët, e cila e mbylli të njëjtë periudhë më rritje 0; në raport me një rritje shpresëdhënëse në 3-mujorin e parë.

Në këtë grup, më mirë kanë performuar ekonomitë e Portugalisë dhe Spanjës, të cilat kanë vijuar ringritjen me 0.6%; ndërsa Italia po shqetëson jo pak me recesionin e saj në totalin e gjysmës së parë të vitit.

Kështu, ekonomia gjermane e mbylli 3-mujorin prill-qershor 2014 me minus 0.2%; në raport me 0.7% rritje që kishte treguar në 3-mujorin e parë të këtij viti.

Sipas ekspertëve, ndërfaktorët kryesorë që ndikuan në këto shifra, është moti i ashpër gjatë dimrit, situate në Ukrainë dhe natyrisht marrëdhëniet tregtare me Rusinë dhe sanksionet e vendosura ndaj saj.

Nga ana tjetër, ekonomia franceze periudhën në fjalë e mbylli me 0% rritje, duke shënuar kështu stanjacion për 2 3-mujorë rresht.

Për zyrtarët e këtij vendi, performance e dobët ekonomike do të thotë se nuk do të plotësohet kushti i BE për deficitin buxhetor deri në 3% për këtë vit, edhe pse kontrolli ndaj shpenzime është rritur mjaft.

Publikimi i shifrave dha ndikim të menjëhershëm në bursat e ndryshme të kontinentit dhe në një ulje të vogël në vlerën e obligacioneve shtetërore.

Gjithsesi, i gjithë Prodhimi i Brendshëm Bruto i Bashkimit Europian, u rrit modestisht me vetëm 0.2% në raport me 3-mujorin pararendës

Etiketa:
Të fundit