E shtunë, 13 Qershor 2026

Selektori i Brazilit, Carlo Ancelotti, ishte protagonisti kryesor i konferencës për shtyp para debutimit të “Seleçaos” në Botërorin 2026.
Trajneri italian e tërhoqi vëmendjen jo vetëm me deklaratat e tij, por edhe me aftësinë për t’iu përgjigjur gazetarëve në katër gjuhë të ndryshme, duke kaluar natyrshëm nga italishtja në spanjisht, anglisht dhe portugalisht.
Gjatë konferencës, Ancelotti foli edhe për gjendjen e Neymar, duke dhënë lajme inkurajuese për tifozët brazilianë.
“Rikuperimi i tij po ecën shumë mirë. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ai mund të rikthehet brenda një jave”, u shpreh trajneri brazilian.
Megjithatë, Ancelotti konfirmoi se ylli brazilian nuk do të rrezikohet në ndeshjet e para të turneut, pasi stafi teknik dëshiron ta ketë në formën më të mirë të mundshme për fazën vendimtare të kompeticionit.
Konferenca e tij u prit me entuziazëm nga mediat ndërkombëtare, të cilat e vlerësuan qetësinë, karizmën dhe aftësinë e trajnerit për të komunikuar me gazetarët nga vende të ndryshme pa pasur nevojë për përkthyes./GE
Burimi: 04online
