SHBA-ja e nis me spektakël Botërorin, e mposht Paraguain 4-1


E shtunë, 13 Qershor 2026
SHBA-ja e nis me spektakël Botërorin, e mposht Paraguain 4-1

Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e nisi në mënyrë të shkëlqyer aventurën në Botërorin 2026, duke triumfuar 4-1 ndaj Paraguait në ndeshjen hapëse të Grupit D.

Protagonisti absolut ishte sulmuesi Folarin Balogun, autor i dy golave, ndërsa kapiteni Christian Pulisic kontribuoi me një asist dhe ishte ndër më të mirët në fushë.

Amerikanët kaluan në avantazh që në minutat e para falë një autogoli të mbrojtësit paraguaian Damian Bobadilla, pas një aksioni të bukur të Pulisic.

Më pas Balogun i dyfishoi shifrat pas një asistimi të saktë të yllit të Milanit, ndërsa po ai e realizoi edhe golin e tretë në fund të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Paraguai e ngushtoi diferencën me Mauricion, por SHBA-ja nuk lejoi surpriza.

Në minutat shtesë, Gio Reyna e vulosi rezultatin përfundimtar 4-1, duke ia dhënë ekipit të trajnerit Mauricio Pochettino një nisje ideale të turneut.

Me këtë fitore bindëse, SHBA-ja e merr kreun e grupit dhe e dërgon një sinjal të fortë për rivalët në Botërorin që po zhvillohet në shtëpinë e saj.


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit