E enjte, 14 Maj 2026

Anija turistike “Hondius”, e cila u nis nga Ushuaia në skajin jugor të Argjentinës më 1 prill, është shndërruar në një burg lundrues që mbart me vete një mister vdekjeprurës.
Ajo që duhej të ishte një lundrim eksplorues drejt zonave të largëta dhe të egra, u kthye në një skenë izolimi total pas shpërthimit të një infeksioni të rëndë me hantavirus.
Deri më tani, tre pasagjerë kanë humbur jetën dhe katër të tjerë po luftojnë me simptomat, ndërsa pyetja se si u përhap ky virus në një mjedis kaq të kufizuar mbetet pa një përgjigje përfundimtare.
“Jemi të gjithë në të njëjtën barkë. I dimë rreziqet, kështu që të gjithë respektojnë distancimin social”- thotë përmes telefonit Helene Goessaert, një pasagjere 61-vjeçare. Sipas dëshmisë së saj, pasagjerët e ndjenë peshën e tragjedisë që më 11 prill, kur një burrë holandez 70-vjeçar vdiq ndërsa anija ishte në Atlantikun Jugor.
Simptomat e tij ishin të rënda: ethe, dhimbje koke, dhimbje barku dhe diarre. Por makthi nuk mbaroi këtu. Dy javë më vonë, edhe bashkëshortja e tij vdiq në një spital në Afrikën e Jugut, ku ishte dërguar me urgjencë.
Viktima e tretë, një burrë gjerman, vetëm sa e shtoi tmerrin në bord. Hantaviruset zakonisht transmetohen përmes kontaktit me jashtëqitjet e brejtësve, por situata në “Hondius” është e pazakontë.
Megjithëse shkenca po debaton ende nëse virusi mund të kalojë nga njeriu te njeriu, fakti që pasagjerët janë të izoluar në kabinat e tyre dhe lëvizin vetëm me maska, tregon se frika nga një transmetim i tillë është reale.
Qasem Elhato, një tjetër pasagjer, tregon se pavarësisht gjithçkaje, morali ruhet përmes leximit dhe filmave. Por pamjet e mjekëve me kostume mbrojtëse të bardha që zbresin nga anija, i japin “Hondius”-it pamjen e një laboratori karantine në mes të detit të trazuar.
Anija, e cila është 100 metra e gjatë, strehon 170 pasagjerë dhe 70 anëtarë ekuipazhi që tashmë janë mësuar me vështirësitë e detit. Por askush nuk i kishte përgatitur për këtë armik të padukshëm.
Pas një marrëveshjeje mes Spanjës dhe OBSH-së, “Anija e Mallkuar” ka marrë lejen të ankorohet në Ishujt Kanarie, vendi më i afërt me pajisjet e nevojshme mjekësore.
Sipas protokollit të ECDC-së, çdo kontakt me popullsinë lokale do të shmanget rreptësisht. Pasagjerët do të ekzaminohen dhe trajtohen përpara se të lejohen të kthehen në vendet e tyre.
Deri në atë moment, “Hondius” mbetet një enigmë që lundron mbi valë, duke mbartur historitë e atyre që nuk mundën t’i mbijetonin këtij udhëtimi të kobshëm. tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
