Bashkësia Islame e Kosovës organizon iftar për kategori të ndryshme sociale


E diel, 12 Qershor 2016

thumbs_b_c_1619360596361062b6d678b9314a177e

Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me organizatën humanitare “Bereqeti” shtroi iftar të përbashkët për qytetarët e grupeve të ndryshme sociale në qendrën e qytetit të Prishtinës.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në fjalimin e tij u shpreh se të gjithë njerëzit, pavarësisht gjendjes së tyre janë të barabartë. Ai apeloi që institucionet të kenë përkujdesje më të madhe për kategoritë e ndryshme sociale në Kosovë.

“Mesazhi më i fuqishëm që del nga agjërimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, krahas sakrificës që bën individi vetëm për Allahu xh.sh. është edhe ndihma që duhet t’i ofrojë tjetrit, vëllazërimi njëri me tjetrin, pajisjen e sofrave të atyre të cilët nuk kanë, duke menduar gjithmonë pavarësisht se çfarë pozite, gjendje ekonomike dhe shëndeti kemi, të gjithë jemi të barabartë tek Allahu xh.sh”, u shpreh Tërnava.

Ndërsa, sekretar i Shoqatës Humanitare “Bereqeti” nga Bashkësia Islame e Kosovës, Xheladin Fazliu bëri të ditur se ky iftar organizohet për herë të tretë me kategoritë e ndryshme sociale dhe theksoi se shpresojnë që ky do të jetë një organizim tradicional.

“Ky iftar është pak më i veçantë sepse organizohet me kategori të ndryshme sociale. Në këtë iftar kemi bashkëpunuar me organizata të ndryshme në kryeqytet, të cilat merren me persona me aftësi të kufizuara, etj”, u shpreh Fazliu për AA.

Gëzim Abazi nga organizata “Handicap Kosova” falënderoi të gjithë ata që në këtë muaj të solidaritetit dhe të sakrificës kanë ndihmuar për organizimin e këtij iftari. “Organizimet e tilla thjeshtë janë frymëzimet dhe frymëmarrja e njerëzve të cilët kanë nevojë për organizime të tilla dhe ndihmë të përhershme”, u shpreh Abazi.

“Është organizim i qëlluar, sidomos për njerëzit me nevoja të veçanta, të cilët me padurim e kanë pritur këtë iftar. Jam shumë e kënaqur dhe Zoti i shpërbleftë”, u shpreh Hëna Berisha, e cila kishte ardhur për iftar së bashku me rrjetin e grave të Kosovës.

Në iftarin e organizuar morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme sociale, si dhe rreth qindra qytetarë të kategorive të ndryshme.

Të fundit