E enjte, 22 Janar 2026

Familja Beckham, e portretizuar për dekada si e përsosur dhe një markë globale e pathyeshme, po përballet aktualisht me krizën më të rëndë. Përplasja publike mes David Beckham, Victoria Beckham dhe djalit të tyre të madh, Brooklyn, ka nxjerrë në dritë tensione të thella që lidhen me kontrollin prindëror, imazhin publik dhe martesën e Brooklyn me aktoren Nicola Peltz.
Në fillim të muajit, Brooklyn Beckham theu heshtjen me postime tronditëse në Instagram, ku akuzoi prindërit për përpjekje të vazhdueshme për të kontrolluar jetën dhe martesën e tij. Ai deklaroi se “Marka Beckham” ka pasur gjithnjë përparësi mbi mirëqenien e familjes, ndërsa ai vetë është rritur nën presion dhe ankth.
Tensionet nisën që në dasmën e vitit 2022 dhe u përshkallëzuan me raporte për përplasje mes nuses dhe Victoria-s. Brooklyn pretendon se e ëma e la pa fustan “në minutën e fundit” dhe ndërhyri në mënyrë të papërshtatshme gjatë vallëzimit të parë, duke e vënë në siklet para 500 të ftuarve.
Mungesa e tij në festën e 50-vjetorit të Davidit dhe bllokimi i ndërsjellë në rrjetet sociale e thelluan krizën. Ndërkohë, ish-futbollisti i famshëm u shfaq në Forumin e Davosit, ku shmangu pyetjet direkte dhe u mjaftua me një deklaratë të përgjithshme:“Jam përpjekur t’i edukoj fëmijët, por ndonjëherë ata bëjnë gabime!”.
Kriza aktuale, shënon thyerjen e parë të madhe të një marke që vlerësohet mbi 500 milionë paund dhe rrezikon asetet e saj më të çmuara: besueshmërinë e publikut.
Ndërsa prindërit vazhdojnë të mbrojnë imazhin e tyre në samite globale, distancimi i djalit të tyre mbetet një plagë e hapur që as dokumentarët e Netflix dhe as titujt e kalorësisë nuk mund ta kurojnë lehtësisht. E ardhmja e tyre, varet tashmë nga aftësia për të menaxhuar këtë “tërmet” të brendshëm përpara se ai të shkatërrojë përfundimisht trashëgiminë e tyre./tesheshi/
Burimi: tesheshi
