Do të hapim 200 mijë vende pune


E martë, 27 Maj 2014

Ministri në detyrë i Financave i Kosovës, Besim Beqaj, ka folur për gazetën “Tribuna”, duke thënë se gjatë mandatit të kaluar qeverisës, orientimi kryesor i tyre ishte ruajtja e stabilitetit makrofiskal, menaxhimi efikas i parasë publike, zhvillimi i reformave strukturore në ekonomi dhe në biznes, me qëllim fuqizimin e sektorit privat në vend dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Përsa i përket krijimit të 200 mijë vendeve të punës, Beqaj ka thënë se infuzioni i pritur financiar për sektorin privat përmes mekanizimit të fondit të punësim, pritet që të ndikojë efektivisht në krijimin e mbi 150.000 vendeve të reja të punës. Kjo do të bëhet e mundur përmes rritjes së ndërmarrjeve ekzistuese dhe krijimit të ndërmarrjeve të reja nga të rinjtë me ide të qarta për biznese inovative, të cilat krijojnë vende pune si dhe ndikojnë në stimulimin e prodhimit të brendshëm.

Raporti i BB-së për ekonominë e Kosovës

Ndërkaq, vlerësimi i Bankës Botërore për Kosovën, i publikuar në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore, ka treguar se Kosova vuan nga papunësia, mungesa e zhvillimit ekonomik, evazioni fiskal, duke shtuar se buxheti në vend nuk përkrah zvogëlimin e varfërisë ekstreme. Raporti i BB-së ka treguar edhe se Kosova ka pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, pasi eksportet janë rritur në vitin 2013, por ato kanë rënë në fillim të këtij viti.

Ekonomistët në Kosovë e kanë konsideruar realist vlerësimin e Bankës Botërore, duke u shprehur se raporti është bazuar në realitetin aktual të vendit. Sipas tyre, në raport tregohet qartë se Kosova nuk ka perspektivë ekonomike afatgjatë.

Agim Demukaj, ekonomist në Bankën Botërorë në Kosovë, ka thënë se, sipas raportit të vjetshëm, rritja ekonomike në Kosovë është parashikuar të arrijë deri në 4.2 përqind, por gjatë zhvillimeve të fundit ekonomike, ka pasur rënie, veçanërisht në eksport.

Etiketa: ,
Të fundit