E enjte, 9 Prill 2026

Për më shumë se një dekadë, përdoruesit e teknologjisë janë paralajmëruar se drita blu e ekraneve po shkatërron cilësinë e gjumit.
Megjithatë, kërkimet e fundit shkencore sugjerojnë se ky shqetësim është i tepruar dhe se fajtorët e vërtetë lidhen me stilin e jetesës dhe përmbajtjen e asaj që shohim, sesa me ngjyrën e dritës.
Alarmi nisi në vitin 2014 me një studim ku pjesëmarrësit që lexonin në iPad prodhonin më pak melatoninë se ata që lexonin libra fizikë. Por Jamie Zeitzer, profesor në Universitetin e Stanfordit, shpjegon se ky studim ishte mashtrues.
Sipas tij, shkenca nuk ishte e gabuar, por konkluzionet që publiku nxori ishin të pasakta. Në kushte laboratorike, drita intensive blu ndikon në orën biologjike, por në jetën reale, intensiteti i dritës nga një telefon është shumë i ulët për të pasur një ndikim dramatik.
Një analizë e njëmbëdhjetë studimeve të ndryshme vërtetoi se drita e ekranit e vonon gjumin me mesatarisht vetëm nëntë minuta. Për më tepër, sasia e dritës blu që marrim nga pajisjet gjatë njëzet e katër orëve është më e vogël se ajo që marrim nga vetëm një minutë qëndrimi jashtë në dritën e diellit.
Ekspertët theksojnë se sekreti i një gjumi të mirë nuk qëndron te filtrat e dritës blu, por te kontrasti i dritës gjatë ditës. Ekspozimi ndaj dritës së fortë në mëngjes rrit vigjilencën dhe e bën trurin më pak të ndjeshëm ndaj dritës në mbrëmje.
Problemi real në jetën moderne, është se ne qëndrojmë në të njëjtin ndriçim gjatë gjithë ditës. Pa një ndryshim të qartë midis dritës së ditës dhe errësirës së natës, trupi e ka të vështirë të kuptojë kur duhet të flejë.
Pajisjet si syzet me lente portokalli apo opsionet “Night Shift” në telefona, mund të mos bllokojnë mjaftueshëm dritë për të ndryshuar biologjinë tonë, por ato shërbejnë si një sinjal psikologjik.
Kur ekrani ndryshon ngjyrë, truri fillon të kushtëzohet se është koha për t’u qetësuar. Gazetari Thomas Germain, i cili kreu një eksperiment disajavor me izolim total nga drita blu, vuri re se cilësia e gjumit nuk pësoi ndryshime drastike.
Por rutina e re – përdorimi i qirinjve dhe fikja e dritave – ndihmoi në krijimin e një rituali më të qëndrueshëm fjetjeje. Shkencëtarët këshillojnë që në vend të investimit në syze të shtrenjta, njerëzit duhet të dalin jashtë gjatë ditës dhe të reduktojnë ndriçimin total të shtëpisë në mbrëmje.
Mbi të gjitha, ajo që na mban zgjuar është përmbajtja stimuluese në telefon, si rrjetet sociale dhe lajmet, dhe jo vetë drita blu që lëshojnë ato pajisje. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
