Fetvaja e Vehbi Dibrës dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë


E hënë, 28 Nëntor 2016

vehbi-dibra

Një akt shumë domethënës që ndërmori Vehbi ef. Dibra, është fetvaja e tij e njohur, me të cilën jepej pëlqimi “Për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe përdorimin e simboleve kombëtare”.

Rendësia e kësaj fetvaje konsistonte jo vetëm në konsekuencën e parimit të patjetërsueshëm mbi të drejtën e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe të qenies kombëtare, por dhe në porosinë që trasmetonte ajo për profilizimin ideor dhe politik të parisë myslimane shqiptare. Kjo fetva përbën aktin më sublim të shkëputjes dhe pavarësimit të gjykatave të Shtetit Autonom Shqiptar dhe të shqiptarëve myslimanë nga juridiksioni i Shejhul-islamit të Portës së Lartë dhe i Sulltanit si halif i myslimanëve.

15226412_10209678749079549_1523815053_n

Fetvaja e Vehbi Dibrës, ndoshta, mund të llogaritet edhe si bërthama kryesore në Pavarësimin e Shqipërisë. Por, sikur të mos ishte fetvaja e Vehbi ef. Dibrës, a do të pavarësohej Shqipëria?

Pa dyshim, edhe po të mos ishte kjo fetva, nuk mund të ndaleshin proceset politike të kohës, po e rëndësishme në atë proces ishte kompaktësia e veprimeve konstruktive të myslimanëve për Pavarësinë e Shqipërisë. Me plot të drejtë, për sa i përket fetvasë në rrethanat kur u dha nga Vehbi Dibra, H. Bushati konstaton: ”Ndoshta pare me rrethanat e sotme do te ishte krejt normale qe një Myfti te dekretonte një Fetva ku te shpallte vendin të pavarur. Po kur kjo Fetva vehet ne kushtet e atëhershme qe nga ana Juridike, Fetvaja ishte pothuajse burimi me i larte hirearkik dhe me popullori ne vend, atehere besoj se pesha e saj specifike ndryshon. Dhe kjo ndodhi ne një kohe kur “Perandoria” ishte akoma ne frymëmarrjet e fundit”. Fetvaja e Vehbi Dibrës, pati jehonë të madhe në masat e gjera.

Kurse, revista “Zani i Naltë”, nr. 4, 1973, opinionin e Vehbi Dibrës në lidhje më Shpalljen e Pavarësisë, e përshkruan në këtë mënyrë: ”Goja e tij e ambël e bekoi për herën e parë Vepren e Shenjtë të ngritjes së Flamurit”, Flamuri i jonë i dashur do të valojë gjithmonë, pse se pati fati e lumnuëshëm qi t’a fillojë tallazin e parë me bekimin dhe uratën e një fetari të vërtetë”.

Të fundit