E hënë, 8 Qershor 2026

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, ka thënë se liderët politikë në Kosovë duhet të angazhohen për të formuar sa më shpejtë qeverinë e re të dal nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Ajo ka thënë se zgjedhjet demokratike të mbajtura i kanë hapur rrugë Kosovës të shmangur bllokadën politike.
“Kosova, me zgjedhjet e saj demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ka hapur rrugën për të lënë pas më shumë se një vit bllokadë politike. Liderët politikë tani duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të siguruar formimin sa më të shpejtë të qeverisë”, ka deklaruar ajo përmes një postimi në X.
Kallas ka folur edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar atë si një element kyç për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, mbeten thelbësore për avancimin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, është shprehur ajo.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 299,152 vota apo 42,91%. Partia Demokratike e Kosovës ka 147,220 vota, apo 21,12%.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 122,575 vota apo 17,58%. Aleanca ka marrë 49,917 vota apo 7,16%.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale