E hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha i arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë, personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, nga neni 248 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka deklaruar Shala.
Sipas saj, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Po ashtu, Shala ka konfirmuar se prokurori i çështjes ka paraqitur në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Berisha është arrestuar të shtunën si dyshuar për dhunë në familje.
Pas këtij rasti, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës e ka suspenduar Berishën.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
