E hënë, 2 Nëntor 2026

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, si pasojë e mospërmbushjes së gjashtë hapave reformues brenda afatit të qershorit 2026.
Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Zulfaj tha se Kosova ka përpara edhe 22 hapa reformues, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh, të cilët duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Ai bëri të ditur se Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh, prej të cilave dy të tretat janë kredi, ndërsa zbatimi i planit lidhet me përmbushjen e 111 hapave reformues deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.
Zulfaj njoftoi se nga 13 hapat reformues që kishin afat shtesë deri në qershor të vitit 2026, janë përmbushur vetëm shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë realizuar.
“Siç e dini, plani i rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milion euro, ku 2/3 janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen.. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milion euro, shuma përfundimtare do të varet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë e para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milion euro, ose më saktë 43.8 milion euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, tha ai.
Ai shpjegoi se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvendin e Kosovës, në periudhën kur institucioni ligjvënës ishte i shpërndarë.
Ndër reformat që nuk janë përmbushur brenda afatit, Zulfaj përmendi Ligjin për Energjinë, Ligjin për Falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë dhe Strategjinë kundër Krimit të Organizuar. Ai theksoi se këto reforma do të vazhdojnë të procedohen për miratim, pavarësisht humbjes së mjeteve financiare të lidhura me afatet.
“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimin në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë. Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milion euro, që skadojnë me 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe komisioni evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet”, tha ai.
Ai theksoi se dy nga hapat që skadojnë më 31 dhjetor janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kuvendit. Këtu përfshihen themelimi i Komisionit për Ndihmë Shtetërore dhe masat apo ndëshkimet që lidhen me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Për shkak të afateve të shkurtra, Zulfaj kërkoi mobilizim institucional dhe procedura të përshpejtuara për miratimin e reformave.
Zulfaj flet për skadimin e disa hapave me 31 dhjetor që janë nga kuvendi
“Ka dy hapa që skadojnë me 31 dhjetor e që janë nga kuvendi, është themelimi i komisionit për ndihmë shtetërore, masat ose ndëshkimet për rregulloren e punës të kuvendit. Për shkak të kohës së shkurtër, shumica dërmuese e tyre duhet të bëhen në procedurë të përshpejtuar. Mendojmë që agjenda kërkon mobilizimin e të gjithëve, prandaj çmoj shumë angazhimin tuaj. Paralelisht punojmë edhe për aspekte tjera, mbulojmë edhe MSA dhe të gjithë agjendën për integrimin evropian. Hapi i radhës pas liberalizimit të vizave është shtyrja përpara e aplikimit për statusin kandidat… Kemi takuar edhe komisionerën Koss edhe parlamentarë nga parlamenti evropian, dhe shpresoj që të keni edhe ju në agjendën e juaj takim me anëtarë të parlamentit evropian. Progresi jonë si shtet nuk reflekton procesin në të cilin jemi, nuk ka kushte për statusin kandidat as për hapjen e negociatave të cilat Kosova nuk i ka plotësuar, ajo çka mbetet është uniteti brenda BE-së”, tha ai.
Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ngriti çështjen e miratimit të Kodit Civil, duke kërkuar të dijë nëse qeveria ka siguruar votat e nevojshme për kalimin e tij në Kuvend.
Ajo kërkoi sqarime edhe për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, ndikimin e zhvillimeve politike në Serbi në procesin integrues të Kosovës, pezullimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për Marrëveshjen e Brukselit, Aneksin e Ohrit dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kadrijaj bën disa pyetje ndaj Zulfaj, kërkon llogaridhënie për dialogun strategjik
“Kemi 18 hapa, nëse nuk përmbushen të 18tat dhe dua të lidhem në hapin e 17 që është miratimi i kodit civil, që ka të bëjë me martesat, bashkësia familjare dhe të drejtat e personave me orientime të ndryshme seksuale a ka punuar qeveria që të ketë votat për kalimin e këtij ligji për shkak që ne e dimë cilat janë dallimet. A do miratohet kjo dhe a i keni siguruar votat për të kaluar kodi civil. A ekziston tash për shkak të zgjedhjeve të fundit në serbi dhe të fitimit që ka ra Vuçiqi dhe që ka fituar lista e studentëve, a mendoni që do të ndryshojë qasja e Serbisë në raport me Kosovën dhe a ka rrezik që ata me pas prioritet në BE dhe me hedh shumë më shumë se Kosova në agjendat evropiane por edhe në planin e rritjes. A do të hapen negociatat për anëtarësim të Kosovës në BE dhe dialogu strategjik, çka po kërkohet nga SHBA që e kanë pezulluar dhe çka duhet të bëj Kosova që të kthehet dialogu strategjik. Po më intereson edhe marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, kemi pasur deklarata herë është pranuar herë jo, a po më tregoni a keni pranuar atë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, a është pranuar Zajednica, në cilën fazë dhe cilën pikë jemi?”, pyeti Kadrijaj.
Në përgjigje, Zulfaj sqaroi se Kodi Civil është pjesë e hapave reformues dhe se përgjegjësia për miratimin e tij i takon Kuvendit.
Lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim, Zulfaj përsëriti qëndrimin se Kosova i përmbush kriteret e nevojshme, ndërsa vendimi varet nga vullneti politik dhe uniteti brenda Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, për pyetjet që lidheshin me dialogun Kosovë-Serbi, zhvillimet politike në Serbi, marrëveshjet e Brukselit dhe dialogun strategjik me SHBA-në, Zulfaj tha se këto çështje nuk janë pjesë e përgjegjësive të tij.
Zulfaj i përgjigjet pyetjeve të Kadrijaj, nuk komenton për dialogun Kosovë-Serbi, marrëveshjen e Brukselit
“Kodi civil, janë 22 hapa jo 18-të, dy prej tyre ka kuvendi, është pjesë e këtyre hapave. Është përgjegjësi e kuvendit që ta kaloj, shpresoj që të ketë konsensus shoqëror në lidhje me vlerat që janë të përfaqësuara në kodin civil. Reformat nuk bllokohen, shpresoj të kemi unitetin në agjendën e reformave… Nuk jam përgjegjës për të gjitha, besoj se për dialogun mund të ftoni kryenegociatorin për dialog Kosovë- Serbi, nuk kam mendim që ta ndaj me ju as për zgjedhjet në Serbi. A do të hapen negociatat për anëtarësim, ju thashë se nuk ka ndonjë kriter që Kosova nuk e përmbush për të hapur negociatat për anëtarësim. Nëse shohim pushtete e rajonit kanë fituar statusin kandidat dhe kur i kanë hapur negociatat, Kosova është më e avancuar në çdo aspekt zhvillimor, çështja është më shumë e vullnetit brenda BE-së dhe unitetit sesa kritereve që kemi ne. Nuk do të shprehem as për dialogun strategjik me SHBA-në nuk është në portofolin tim, as për marrëveshjen për Bruksel”, tha ai.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
