Kosova përballë Izraelit, “Dardanët” hyjnë në sfidën e radhës me vlerë më të madhe të skuadrës


E enjte, 1 Tetor 2026
Kosova përballë Izraelit, “Dardanët” hyjnë në sfidën e radhës me vlerë më të madhe të skuadrës

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të përballet sonte me Izraelin, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve, në Ligën B.

Për shkak të situatës në vend, Izraeli ndeshjet si vendas i zhvillon jashtë territorit të tij. Përballja ndaj Kosovës do të luhet në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45.

Pas dy ndeshjeve të para, Izraeli ende nuk ka grumbulluar pikë, ndërsa Kosova ka tri pikë, pas fitores ndaj Irlandës dhe humbjes nga Austria.

Në renditjen e FIFA-s, Kosova pozicionohet në vendin e 78-të, ndërsa Izraeli është i 76-ti.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të “Transfermarkt”, skuadra e Kosovës ka një vlerë më të lartë në treg. “Dardanët” vlerësohen me rreth 146.05 milionë euro, ndërsa përfaqësuesja e Izraelit me 110.83 milionë euro.

Lojtari më i vlefshëm i Kosovës është Fisnik Asllani, me vlerë të përafërt prej 35 milionë eurosh. Pas tij renditen Leon Avdullahu me 30 milionë dhe Albian Hajdari me 25 milionë euro.

Edon Zhegrova vlerësohet me 10 milionë euro, Arijanet Muric me 7.5 milionë, ndërsa kapiteni Vedat Muriqi me 7 milionë euro.

Në listën e lojtarëve të Kosovës me vlerë milionëshe janë edhe Veldin Hoxha dhe Dion Gallapeni me nga 4 milionë euro, Milot Rashica dhe Mërgim Vojvoda me nga 2.5 milionë, si dhe Erblin Osmani, Lumbardh Dellova e Lindon Emërllahu me nga 2 milionë euro.

Edhe një numër i lojtarëve të tjerë të Kosovës kanë vlera të konsiderueshme në treg, ndërsa Izraeli e ka Anan Khalailin e Crystal Palace si futbollistin më të vlefshëm të skuadrës.

Pas përballjes me Izraelin, Kosova do të luajë ndaj Austrisë si vendase, ndërsa Izraeli do të udhëtojë në Irlandë.

Izrael – Kosovë zhvillohet sonte nga ora 20:45./04 Online/


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit