Krasniqi: LDK- AAK- NISMA e ka grupin më të madh parlamentar


E shtunë, 12 Korrik 2014

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se LDK-AAK-NISMA e kanë grupin më të madh parlamentar duke theksuar se kjo është në pajtim me Kushtetutën.

Megjithatë edhe pa prezencën e PDK-së, subjektet e tjera unanimisht kanë aprovuar rendin e ditës , ku edhe është vendosur se Grupi Parlamentar i cili ka më së shumti deputetë ka të drejtë të propozoj kandidatin për kryetar të Kuvendit, e ai është LDK – AAK – Nisma me 47 deputetë.

Konjufca: U morëm vesh që të mos ketë interpretim nga ata qe do të udhëheqin seancën e parë

Dokumenti që PDK-në e nxjerr të parën në Kuvend për ne është ilegal, ka thënë Glauk Konjufca nga Vetëvendosje. Sipas tij ai dokument është ilegal dhe është konstruktuar sipas qejfit të PDK-së.

“U morëm vesh qe te mos ketë interpretim nga ata qe do të udhëheqin seancën e pare. Skenarin do ta caktojmë, dhe do te dihet se kujt i jepet e drejta për të propozuar”, ka thënë ai.

Mustafa: Nuk kishte asnjë përplasje në mbledhje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se në takim nuk kishte asnjë sjellje jokorrekte e as përplasje, por sipas tij Thaçi vetëm doli nga salla.

Kurse, sa i përket listës të sekretariatit të Kuvendit, sipas së cilës PDK-ja del grupi me i madh, Mustafa tha që ketë nuk e vendosë sekretariati, por e vendos Kryesia e Kuvendit dhe vullneti i deputetëve për tu bashkuar lirshëm në një grup

Limaj: Rregulloren e interpreton Jakup Krasniqi

Pas largimit të Hashim Thaçit nga salla e Kryesisë së Kuvendit, nga aty janë larguar edhe Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj. Ky i fundit i është përgjigjur Thaçit i cili theksoi se gjatë mbledhjes pati devijim nga rregulloret. Limaj tha se është Jakup Krasniqi ai që interpreton rregulloren.

Ndërkohë Haradinaj, e Kurti nuk janë pronocuar për media. Limaj ndërkaq ka thënë se séance konstituive e Kuvendit do të mbahet të enjten në ora 10:00.

Thaçi braktis mbledhjen

Vetëm pak minuta pasi hyri në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, e ka lëshuar sallën duke akuzuar Koalicionin LDK-AAK- NISMA. Thaçi ka thënë se partia e tij nuk do të lejojë që një ‘grumbull muskujsh’ ta prish rregullin. “Çdo rrugë tjetër i një grumbulli të muskujve politikë për ta përmbysur vullnetin politik të qytetarëve bie në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, në kundërshtim e ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Thaçi. “Kështu që ne sigurojmë qytetarët e Kosovës se do të marrim pjesë në seancën konstituive, që mbahet të enjten, si forca politike fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit, do ta implementojmë në tërësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Kështu që sot kishte devijim të plotë të rendit të ditës nga Rregullorja e Punës së Kuvendit. Kishte tendencë, nëse nuk na ndodhur tashmë, për ta shkelur ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë kreu i PDK-së, transmeton Politiko.net.

“Ne si forca fituese e këtyre zgjedhjeve do ta respektojmë Rregulloren e Kuvendit, Ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës, dhe si forcë fituese politike do të shkojmë drejt zgjedhjes së Kryetarit të Parlamentit, natyrisht Qeverisë së ardhshme të Kosovës”, tha ai.

Thaçi ka thënë se nuk duhet të ndodhë diçka e jashtëzakonshme në seancën konstituive më 17 korrik.  “Do të Respektohet Rregullorja e Kuvendit, Ligjet e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës, do të respektohet në tërësi vullneti i qytetarëve dhe si parti politike dhe koalicion fitues do ta implementojmë në tërësi vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Nis mbledhja e kryesisë

Partitë e koalicionit LDK AAK NISMA dhe lideri i PDK-së Hashim Thaçi kanë filluar mbledhjen kryesisë së Kuvendit të Kosovës të cilën po kryesohet nga Kryeparlamentari i vjetër Jakup Krasniqi. Aty pritet të përcaktohet agjenda e seancës konstituive të legjislaturës së re.

“Kryesia është thirrur ditën e shtunë në ora 11:00, e cila do të përgatit rendin e ditës për seancën konstituive të Kuvendit të ri”, tha Krasniqi. Ai tha se Kryesia do të caktoj kohën e saktë se kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit me 17 korrik. Ndryshe, lidhur me përgatitjen e mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, rregullorja e këtij institucioni thotë:

1. Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme.

2. Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatit! ur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike.

3. Nëse dy apo më shumë grupe parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bëhet me short.

4. Rendi i ditës i mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit.

Etiketa: