Kryediplomati iranian: Nuk ka zgjidhje ushtarake për çështjet që lidhen me Iranin, nuk do t’u dorëzohemi kërcënimeve


E enjte, 14 Maj 2026
Kryediplomati iranian: Nuk ka zgjidhje ushtarake për çështjet që lidhen me Iranin, nuk do t’u dorëzohemi kërcënimeve

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, ka deklaruar se nuk ka zgjidhje ushtarake për çështjet që lidhen me Iranin dhe Teherani nuk do t’i dorëzohet presionit apo kërcënimeve, tha të enjten ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, transmeton Anadolu.

Siç raportoi agjencia e lajmeve Fars, duke folur gjatë takimit të ministrave të jashtëm të grupit BRICS në Indi, Araghchi tha se Irani ishte përballur dy herë brenda më pak se një viti me “agresion brutal dhe të paligjshëm” nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Nën temën “Ndërtimi për Rezistencë, Inovacion, Bashkëpunim dhe Qëndrueshmëri”, takimi global zhvillohet mes luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt, por aktualisht ndodhet nën armëpushim.

“Tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se Irani është i pamposhtur dhe sa herë që i nënshtrohet presionit, ai del më i fortë dhe më i bashkuar se më parë”, tha ai.

Araghchi tha se Irani është i gatshëm të “luftojë me gjithë forcën” në mbrojtje të lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të tij, ndërsa mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj diplomacisë.

“Siç e kam theksuar vazhdimisht, nuk ka zgjidhje ushtarake për asnjë çështje që lidhet me Iranin. Ne iranianët nuk do t’i nënshtrohemi asnjë presioni apo kërcënimi, por do të përgjigjemi me respekt”, tha ai.

Ministri iranian tha se forcat e armatosura të vendit janë të gatshme të japin një përgjigje “të fuqishme dhe shkatërruese” ndaj agresorëve të huaj, ndërsa theksoi se populli iranian është paqedashës dhe nuk kërkon luftë.

“Në këtë situatë të turpshme, ne nuk jemi agresorët, por pala e dëmtuar dhe e shkelur”, shtoi ai.

Tensionet rajonale u përshkallëzuan ndjeshëm pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar kundërpërgjigje iraniane ndaj Izraelit dhe aleatëve amerikanë në Gjirin Persik, si dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim i ndërmjetësuar përmes Pakistanit hyri në fuqi më 8 prill, megjithëse bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje të përhershme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më vonë njoftoi se armëpushimi do të mbetej në fuqi për një kohë të pacaktuar, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme ushtarake dhe kufizimeve detare në rajonin e Gjirit.

SHBA-ja ka mbajtur një bllokadë detare kundër Iranit që nga 13 prilli.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit