E enjte, 23 Shkurt 2023
PRISHTINË – Kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Miodrag Milliqeviq.
Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.
Kosova refuzon ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.
Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, për kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti, megjithatë, ka thënë se diskutimet atë ditë pritet të bëhen rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë ofruar Kosovës mundësi që t’i japë formë Asociacionit ashtu siç dëshiron, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Megjithatë, thotë ai, mbetet të shihet nëse kushtet e Kurtit do të shndërrohen në dokument konkret në bisedimet në Bruksel, apo do të mbeten në formën e “parimeve abstrakte”.
“Kryeministri Kurti akoma është në nivelin e parimeve, ndërkohë që ndërmjetësuesit [ndërkombëtarë] presin dokument që është në formën e statutit [për Asociacionin], ku gjithsesi mund të përfshihen edhe kushtet që i ka parashtruar. Thjesht, kërkohet të shihet një lloj gatishmërie nga Kosova, që të paktën ta fillojë procesin e diskutimit për statutin. Unë nuk mendoj që do të mirëpritet diskutimi thjesht në nivel parimor… Mendoj se pritet një dokument konkret. Në këtë kuptim, mendoj se, ndoshta, nuk do të ketë shumë mirëkuptim për kërkesën [e Kurtit për emrin], sepse nuk është precize dhe nuk është konkrete… në kuptimin që nuk zbret nga parimet në një dokument konkret”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, thotë se Kurti po përpiqet që përmes idesë së tij për emrin, ta bindë opinionin se nuk do të lejojë një asociacion njëetnik.
“Por, në fakt, diçka e tillë në Kosovë nuk është e mundshme, për shkak se pjesa më e madhe e komunave që do të duhej ta përbënin Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të ardhmen, janë shumetnike. Në këtë pikë, përveç çështjes së komunitetit serb, është e hapur edhe çështja e funksionimit të komunitetit shqiptar përbrenda atyre komunave, gjegjësisht e funksionimit të komuniteteve tjera pakicë apo joshumicë në ato komuna”, thotë Milliqeviq./REL
Etiketa: Aktuale, Albin Kurti, Asociacioni i Komunave Serbe, Kosovë