Kuvendi nis seancën me solidarizim për gratë e prekura nga kanceri i gjirit


E enjte, 29 Tetor 2026
Kuvendi nis seancën me solidarizim për gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë solidarizuar me gratë dhe vajzat që përballen me kancerin e gjirit, duke mbajtur shalle rozë në shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi për këtë sëmundje.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që gratë të mos i neglizhojnë kontrollet mjekësore dhe të kujdesen për shëndetin e tyre edhe pas përfundimit të muajit tetor, i cili i kushtohet ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Ajo ka theksuar se zbulimi i hershëm i sëmundjes rrit mundësitë për trajtim të suksesshëm, ndërsa kontrollet e rregullta mund të luajnë rol vendimtar në identifikimin e saj me kohë.

“Muaji i ndërgjegjësimit, i tetorit, po mbaron, por kujdesi s’duhet të mbyllet me kaq. Kur sëmundja zbulohet herët shanset për shërim janë shumë më të mëdha dhe shpesh këtë dallim e bën një kontroll që zgjat vetëm pak minuta”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha grave që të kryejnë kontrolle të rregullta dhe të kërkojnë këshilla mjekësore me kohë.

Haxhiu ka shtuar se mbështetja për gratë që po përballen me këtë sëmundje dhe për familjet e tyre duhet të jetë e vazhdueshme, duke theksuar se kujdesi për shëndetin e grave mbetet përgjegjësi e përhershme e institucioneve.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit