Mbappé thyen rekordin e Giroud


E mërkurë, 17 Qershor 2026
Mbappé thyen rekordin e Giroud

Kylian Mbappé vazhdon të shkruajë historinë me fanellën e Francës. Sulmuesi francez u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për “Les Bleus”, pasi shënoi dy gola në fitoren 3-1 ndaj Senegalit në Kupën e Botës 2026.

Ironikisht, rekordi u thye teksa Olivier Giroud, mbajtësi i mëparshëm i tij, po komentonte ndeshjen drejtpërdrejt në studion e BBC Sport.

Giroud e nisi mbrëmjen si golashënuesi më i mirë në historinë e Francës me 57 gola në 137 paraqitje. Por gjithçka ndryshoi në pjesën e dytë të ndeshjes në New York/New Jersey.

Mbappé fillimisht barazoi rekordin me golin e parë në minutën e 66-të. Më pas Bradley Barcola dyfishoi epërsinë e Francës, ndërsa Senegali ngushtoi rezultatin në minutat shtesë përmes Ibrahim Mbaye. Megjithatë, spektakli i Mbappés nuk kishte përfunduar.

Ylli francez lëshoi një goditje të jashtëzakonshme nga distanca, duke mposhtur portierin Edouard Mendy dhe duke realizuar golin e tij të 58-të me kombëtaren, rekord absolut në historinë e Francës.

Me këtë dopietë, Mbappé arriti gjithashtu në kuotën e 15 golave në Kupat e Botës, duke barazuar legjendat Ronaldo Nazário dhe Gerd Müller. Përpara tij mbetet vetëm Miroslav Klose me 16 gola.

Vetëm pak minuta pas përfundimit të ndeshjes, Giroud reagoi drejtpërdrejt në BBC dhe tregoi klas të madhe duke uruar bashkëkombasin e tij.

“Urime, Kylian, e arrite. Jam vërtet shumë i lumtur për të. Zhvilloi një pjesë të dytë fantastike dhe i tregoi skuadrës rrugën drejt fitores”, deklaroi Giroud.

Më herët gjatë mbrëmjes, ish-sulmuesi i Arsenalit dhe Chelseat kishte parashikuar se Mbappé do ta thyente rekordin e tij dhe madje beson se ai mund të arrijë 100 gola me Francën.

“Ishte e pritshme. Jam i lumtur që është ai që po e thyen rekordin. Ai do të thyejë çdo rekord të mundshëm, si në numrin e ndeshjeve ashtu edhe në gola. Mund të arrijë lehtësisht 100 gola dhe ndoshta edhe rekordin e Kloses në Kupat e Botës”, tha Giroud.

Edhe legjenda angleze Wayne Rooney mbeti i impresionuar nga paraqitja e Mbappés.

“Ai është një superyll absolut. Mund të kesh një pjesë të parë të zakonshme dhe më pas të shpërthesh siç bëri ai në të dytën. Është i jashtëzakonshëm. Nuk kam asnjë dyshim se gjatë këtij Botërori mund të bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Kupave të Botës”, u shpreh Rooney.

Franca do të rikthehet në aksion më 22 qershor kundër Irakut, para se ta mbyllë fazën e grupeve me përballjen ndaj Norvegjisë më 26 qershor. /GazetaExpress/


Burimi: 04online

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit