E mërkurë, 17 Qershor 2026

Njësitet e Doganës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, kanë realizuar një kontroll të papritur në një objekt të dyshuar për posedim të mallrave pa dokumentacion të rregullt dhe me dyshime për shkelje të markave tregtare, në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 3,183 copë produkte tekstile të markave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë veshje, bluza, maica, shorce, trenerka, jakne, kapela dhe artikuj të tjerë, transmeton Klankosova.tv.
Vlera e mallrave të sekuestruara, sipas vlerësimit doganor, arrin në 81,677.46 euro, ndërsa detyrimet e llogaritura doganore dhe tatimore arrijnë në mbi 24 mijë euro.
Sipas procedurave të parapara ligjore, mallrat janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në depo të sigurt doganore.
Burimi: klankosova
