Ky është i dyshuari për plagosjen në Veternik, prokuroria del me detaje


E mërkurë, 17 Qershor 2026
Ky është i dyshuari për plagosjen në Veternik, prokuroria del me detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se më datë 16.06.2026, rreth orës 23:30, në rrugën ‘’Feriz Guri’’ në Prishtinë, ka pasur të shtëna me armë zjarri, si pasojë e të cilave një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet përkatëse kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, si dhe sigurimin e provave materiale në vendin e ngjarjes.

Gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, dyshohet se personi me inicialet N.B., ka kryer veprën penale ‘’Vrasje në tentativë’’, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisja nga Policia e Kosovës, ku aty është gjetur një armë e gjatë, shtatë (7) gëzhoja dhe trembëdhjetë (13) fishekë, të cilat do të shërbejnë si prova materiale gjatë zhvillimit të procedurës hetimore.

Ndërkohë, gjatë ekzaminimeve përkatëse, nga njësitet relevante, është konstatuar se në automjetin e viktimës, Sh.K. është gjetur dhe sekuestruar një (1) armë dhe dymbëdhjetë (12) fishekë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe arrestimin e personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit