Nga Farid Hafez*: Pse Trump, Musk dhe Netanyahu po përfshihen kaq aktivisht në zgjedhjet evropiane


E shtunë, 29 Gusht 2026
Nga Farid Hafez*: Pse Trump, Musk dhe Netanyahu po përfshihen kaq aktivisht në zgjedhjet evropiane

Mbase shumëkush e mban mend ende momentin kur zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, u ngjit në skenë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih 2025, për të kritikuar ashpër liderët evropianë se po përjashtonin politikanët e së djathtës ekstreme. Duke shkelur protokollin, në vend që të takohej me kancelarin gjerman, ai zgjodhi të takonte lideren e partisë gjermane të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Elita evropiane u trondit nga kjo qasje e re e lidershipit amerikan në botë. Por, vetëm pak javë më parë, ish-kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) trilioneri Elon Musk, mbajti një fjalim po në kongresin e partisë AfD.

Përtej individëve, është vetë Partia Republikane nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, ajo që po mbështet ato forca të cilat përqafojnë vizionin “MAGA”. Në fakt, grupimi i ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian, “Patriotët për Evropën”, e ka bërë të vetin këtë slogan, duke brohoritur “Ta Bëjmë Evropën të Madhe Sërisht”. Konferenca e Aksionit Politik Konservator (CPAC) në Hungari e mishëron më së miri këtë afrim mes anëtarëve të Partisë Republikane amerikane dhe homologëve të tyre nacionalistë në Evropë e më gjerë, duke bërë bashkë prej vitesh krerë të së djathtës ekstreme nga mbarë bota.

Megjithatë, do të ishte e gabuar të mendonim se kjo kthesë varet tërësisht nga një administratë e re në Shtëpinë e Bardhë. Ka një sërë elementesh që shpjegojnë se si arritëm deri këtu: nga motivet ideologjike e deri te llogaritë elektorale.

Ndoshta nuk është nevoja të ndalemi te përshëndetja naziste e Musk-ut apo te fakti se si po zbehet qëllimisht rreziku i simboleve të supremacisë së bardhë. Mjafton të dëgjojmë fjalët e figurave udhëheqëse të oligarkisë, si Peter Thiel, apo të liderëve politikë si Presidenti Donald Trump. Thiel renditi tri sfida kryesore për Evropën: “të gjelbrit (lëvizja për drejtësi mjedisore), Sheriati (muslimanët) dhe shteti komunist totalitar.” Nga ana tjetër, gjatë një vizite në Evropë, presidenti amerikan theksoi se liderët evropianë duhet të “ndalin këtë pushtim të tmerrshëm” dhe se “ky imigrim po vret Evropën.” Të gjitha këto fillesa ideologjike lidhen nga ideja e përbashkët e një “bardhësie”(whiteness) euroatlantike, e cila duhet të mbrohet nga imigrimi që i rrezikon pastërtinë e supozuar racore. Sulmet e fundit ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, dhe atyre që shihen si ngjashmëritë e tij – duke i etiketuar si kërcënim komunist – reflektojnë po këtë mendësi të një agjende nacionaliste të bardhë.

Kjo rrymë ideologjike anon natyrshëm drejt mbështetjes së aleatëve të saj në Evropë. Por këto lidhje kanë evoluar veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit, duke afruar një Parti Republikane tashmë shumë më të orientuar djathtas me liderët e ekstremit të djathtë evropian. Dhe, me përfshirjen e partisë izraelite Likud të Benjamin Netanjahut si vëzhguese e grupit “Patriotët për Evropën” në Parlamentin Evropian, ky rreshtim ideologjik po merr formë globale: nga SHBA-ja, në Evropë e deri në Izrael.

Paralelisht, lidershipi amerikan po fut idetë e supremacisë së bardhë edhe në korridoret e pushtetit. Kur Sekretari i Shtetit Marco Rubio i thuri lavde “misionarëve, pelegrinëve, ushtarëve dhe eksploruesve që vërshuan nga brigjet për të kaluar oqeanet, për të kolonizuar kontinente të reja dhe për të ndërtuar perandori të gjera anëkënd botës”, duke sulmuar ashpër “kryengritjet antikoloniale” që i dhanë fund epokës së zgjerimit perëndimor, liderët evropianë, si Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me gjasë janë ndier të lehtësuar. Në fakt, Rubio u duartrokit në këmbë nga salla pasi i konsideroi Shtetet e Bashkuara dhe Evropën si “pjesë të një qytetërimi të vetëm — qytetërimit perëndimor … të lidhur ngushtë nga themelet më të thella që kombet mund të ndajnë: historia e përbashkët shekullore, besimi i krishterë, kultura, trashëgimia, gjuha, prejardhja dhe sakrificat që të parët tanë bënë së bashku për këtë qytetërim që kemi trashëguar.”

Ndërsa shumë liderë evropianë e pritën me lehtësim këtë qasje, ai ishte një sinjal i qartë se krijimi i një identiteti të krishterë e të bardhë, i mbështjellë me petkun e diskursit qytetërues, përbënte një pikë takimi edhe për udhëheqësit evropianë të qendrës. Kjo konfirmon se liderët e qendrës në Evropë nuk janë dhe aq larg ekstremit të djathtë. Njësoj si ekstremi i djathtë, i cili në dekadat e fundit i integroi qëndrimet e tij në rrymën kryesore duke sfiduar qendrat e pushtetit, një dinamikë e ngjashme po ndodh edhe në shkallë globale. Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin është thjesht dëshmia më e fundit e kësaj dinamike në nivel politikashbërës. Pas votimit të tij, anëtarët e ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian brohoritën: “Kthejini mbrapsht!”. Ndonëse në pakicë numerike, ata kanë një pushtet të madh.

Zgjedhjet në Evropë dhe përtej saj, janë kthyer në një fushëbetejë për këtë vëllazëri nacionaliste të ekstremit të djathtë. Kur agjitatori britanik anti-islam, Stephen Yaxley-Lennon (i njohur gjerësisht si Tommy Robinson), mbështet hapur Ministrin e ekstremit të djathtë për Çështjet e Diasporës, Amichai Chikli, përpara primareve të Likud-it, apo kur JD Vance mbështet Alice Weidel dhe partinë e saj AfD në zgjedhjet gjermane, thelbi mbetet i njëjtë: një ideologji e përbashkët. E gjitha kjo bazohet në bindjen se ngritja e ekstremit të djathtë do t’i hapë rrugë një aleance afatgjatë që përkthehet në mbështetje për gjenocidin, makinën e luftës dhe korporatat e mëdha (big business).

*Farid Hafez është kërkues i lartë shkencor pranë “The Bridge Initiative” – një projekt studimor disavjeçar mbi Islamofobinë në Universitetin Georgetown në Uashington – dhe profesor asistent i marrëdhënieve ndërkombëtare në “College of William and Mary” në Virxhinia.


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit