E shtunë, 29 Gusht 2026

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava ka reaguar lidhur me dokumentin e cilësuar në publik si “Top Secret” dhe pretendimet që janë paraqitur së fundmi në lidhje me të.
Në një deklaratë publike, Tërnava ka kërkuar nga institucionet kompetente, Prokuroria Speciale dhe organet profesionale që çdo pretendim rreth këtij dokumenti të verifikohet në mënyrë të plotë dhe institucionale.
Sipas tij, nëse dokumenti ekziston dhe është autentik, duhet të bëhet e qartë se kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur dhe në çfarë rrethanash është përdorur.
Tërnava i ka cilësuar si “jashtëzakonisht të rënda” pretendimet e bëra publike, sipas të cilave Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si institucion nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë pretendohet se janë ndërtuar apo financuar nga Serbia.
Ai ka kërkuar që këto pretendime të mos trajtohen si të vërteta të mirëqena, por t’u nënshtrohen verifikimeve mbi bazën e fakteve dhe provave.
Myftiu i Kosovës ka kërkuar gjithashtu të sqarohet nëse ky dokument apo materiale të ngjashme janë përdorur ndër vite si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër BIK-ut, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, imamëve dhe udhëheqësve të saj.
“Ne kërkojmë vetëm që përballë nesh të qëndrojnë faktet dhe provat dhe që i njëjti standard të zbatohet për të gjithë”, ka thënë Tërnava.
Ai ka theksuar se BIK-u nuk kërkon përplasje politike, fetare apo shoqërore, por që çështja të trajtohet përmes institucioneve të drejtësisë dhe procedurave ligjore.
Në fund, Tërnava u ka bërë thirrje institucioneve që të zbardhin autorësinë, origjinën, autenticitetin dhe mënyrën e përdorimit të dokumentit, duke kërkuar që “faktet të ndahen nga pretendimet” dhe drejtësia të bëjë punën e saj.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale