Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Njësia e FSK-së përmbyll me sukses ushtrimin “Ujku 1C Godet”

Prizren Post | 17:22 - 07.04.2015

Kompania 1C e Batalionit të Parë të Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, nga data 31 mars deri më 3 prill, ka realizuar ushtrimin fushor të koduar me emrin “Ujku 1C Godet”.

Aktiviteti është realizuar në bazë të ciklit tremujor të trajnimeve, listës së detyrave esenciale për zbatimin e misionit dhe planit vjetor të aktiviteteve në Brigadën e Reagimit të Shpejtë.
Qëllimi kryesor i këtij ushtrimi fushor, siç komunikoi sot Zyra për marrëdhënie me publikun e Ministrisë së FSK-së, ka qenë testimi i gatishmërisë operacionale, funksionimi i nënoficerëve liderë, në nivel kompanie, togu, skuadre, ekipi dhe përmbushja e fazës së trajnimit.

“Kompania 1C, me të pranuar mesazhin e alarmimit, duke respektuar të gjitha afatet kohore ka ngritur gatishmërinë në nivelin e III-të, ku kërkohej që të jetë e gatshme që sipas urdhrit të operojë në zonën e operacionit, për të kryer operacionet e sigurisë. Në ushtrimin fushor të Kompanisë 1C, kanë qenë të angazhuar 232 pjesëtarë, duke përfshirë këtu personelin nga Komanda e Batalionit, Kompania Mbështetëse dhe Simulantët.
Ushtrimi fushor ishte tejet sfidues, ku personeli u ballafaqua me kushte të vështira atmosferike dhe skenarë të ndryshëm, të cilët i mundësonin kompanisë 1C, të zhvillojë operacione të sigurisë dhe forcon trajnimet paraprake.
Aktivitetet-operacionet u zhvilluan kryesisht në malet e Jezercit në regjionin e Ferizajt, duke i mundësuar edhe testimin e komunikimit me Radio Harris dhe Motorolla. Ky aktivitet zgjati tri ditë, duke i mundësuar personelit të K1C të realizojë një mori aktivitetesh të cilat janë mësuar gjatë fazës së trajnimit.

Aktivitetet e realizuara gjatë ushtrimit fushor ishin: alarmimi, marshimi, ngritja e kampit fushor, ngritja e komandave taktike, navigim natën, operacione urbane, operacione malore, pikë vëzhgimi, pikë kontrolli, kontrolli i zonës, koordinim me autoritetet lokale dhe testim i qëndrueshmërisë fizike.
Ushtrimin fushor e kanë ndjekur nga afër edhe përfaqësues të NLAT-it, ekipit këshillues të NATO-s për FSK-në.
Ushtrimi fushor “Ujku 1C Godet”ka përfunduar me sukses dhe me vlerësimin se është arritur qëllimi i mbajtjes së këtij ushtrimi fushor”, thuhet në komunikatë.


Arivisti Company