NSA nuk e përgjon Shqipërinë, përgjon Kosovën


E martë, 11 Qershor 2013

Nga skandali i përgjimeve që ka goditur këto ditë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezulton se Shqipëria është një prej vendeve më pak të përgjuara.

Kjo vihet re në një hartë të publikuar nga britanikja, The Guardian, ku me të gjelbër janë shënuar vendet më pak të përgjuara, dhe ata më shumë të përgjuarit, sipas renditjes, e verdhë, portokalli dhe e kuqe.

Po sipas hartës së botuar nga kjo gazetë britanike mbi vëzhgimet e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë të SHBA (NSA) del se Kosova bën pjesë ndër vendet e vëzhguara më shumë dhe radhitet me Kinën, Indinë e Egjiptin, me ngjyrë portokalli.

Në bazë të të dhënave të kësaj harte, sipas The Guardian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbledhur të dhëna voluminoze nga rrjetet kompjuterike dhe ato telefonike.

Programi top-sekret, i quajtur Prism, pretendon se ka qasje të drejtpërdrejtë në serverat e firmave Google, Apple dhe Facebook. Kompanitë nga ana e tyre kanë mohuar të kenë pasur dijeni për ekzistencën e këtij programi, në veprim që nga viti 2007.

The Guardian njoftoi javën e kaluar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane po merrte tabulatet telefonike të miliona amerikanëve. Kjo gazetë, së bashku me “The Washington Post”, njoftuan se një program i posaçëm kompjuterik, i quajtur PRISM i jep mundësi NSA-së dhe Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së, të kontrollojë shpërndarësit e kompanive të mëdha të Internetit.

Zyrtarët amerikanë nuk i kanë mohuar njoftimet. Ata thonë se askush nuk dëgjon thirrjet telefonike të qytetarëve dhe se të dhënat që ata kanë mbledhur kanë shërbyer për të parandaluar disa komplote terroriste.