Nuk dihet ç’logo do të ketë në listat zgjedhore


E hënë, 12 Gusht 2013

Prishtinë, 12 gusht – Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës Valdete Daka pohon se deri më tash nuk është biseduar se si do të duket logoja në fletët e votimit.

Ajo ka theksuar se nuk është biseduar që logo të jetë Republika e Kosovës, por ka shtuar se nuk mund të paragjykojë se a do të gjendet logo e tillë.

“Me përgjegjësinë më të madhe mund të them se kurrë nuk është biseduar çështja e logos dhe kjo as që ka qenë pjesë e marrëveshjes, kështu që mund të them se marrëveshja që është në fuqi nuk flet për ndërrim simbolesh dhe po ashtu nuk mund të paragjykoj se a do të gjendet ai në listat zgjedhore”, ka deklaruar Daka për Tanjug .

Ajo ka përkujtuar se me marrëveshjen e 19 prillit, në pikën 11 parashihet që zgjedhjet të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare.

Po ashtu ajo ka thënë se me marrëveshjen e 4 korrikut janë arritur edhe gjashtë rregulla të tjera lidhur me çështjet teknike e profesionale si dhe për rolin e OSBE-së por jo dhe për atë se si do të jetë logo e në listat e zgjedhjeve.

Etiketa: , , ,