E martë, 20 Shtator 2022
WASHINGTON – Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka shpallur të përfunduar pandeminë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.
Biden ka thënë se ndonëse “ende kemi probleme”, situata është duke u përmirësuar shpejt.
Statistikat tregojnë se mesatarisht rreth 400 amerikanë janë duke vdekur çdo ditë nga koronavirusi.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë javën e kaluar se po i shihet fundi pandemisë.
Në një intervistë për programin televiziv, 60 Minuta, në rrjetin CBS, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara ende janë duke bërë “shumë punë” për ta kontrolluar virusin.
Intervista – e transmetuar përgjatë fundjavës – është incizuar pjesërisht në një panair të makinave në Detroit, ku presidenti amerikan është parë duke ua bërë me dorë pjesëmarrësve.
“Siç po e shihni, askush nuk është duke vendosur maskën”, ka thënë ai.
“Secili po duket në formë të mirë.. Mendoj se po ndryshon”.
Megjithatë, zyrtarë të administratës Biden, u kanë thënë mediave se komentet e presidentit nuk nënkuptojnë se do të ketë ndryshim të politikave, dhe se nuk ka plane për të pezulluar gjendjen e emergjencës publike, të vendosur për shkak të koronavirusit.
Etiketa: Amerikë, Coronavirus, Covid19, Joe Biden, Pandemia