Parregullësi në Gjimnazin e Mitrovicës


E martë, 1 Nëntor 2016

269001_orig

Më 27 tetor 2016 u mbajt kuvendi zgjedhor për Këshillin e Nxënësve në gjimnazin “Frang Bardhi” në komunën e Mitrovicës. Disa nxënës pjesëmarrës në atë kuvend zgjedhor patën ankesa lidhur me procesin e zgjedhjes së kryetarit të nxënësve. Madje një grup prej tyre e bojkotuan mbledhjen dhe dolën nga salla në shenjë pakënaqësie. Arsyetim i tyre për këtë veprim ishte mendimi se është thyer rregullorja e zgjedhjes së kryetarit të nxënësve dhe janë shkelur të drejtat e tyre për të kandiduar.

Në kuvendin zgjedhor kanë marrur pjesë edhe drejtori i gjimnazit “Frang Bardhi”, z. Ismet Ferizi dhe disa profesorë, të cilët në fjalimet e tyre kanë anuar kah njëri kandidat për kryetar të Këshillit të Nxënësve. Votimi u bë dy herë me aklamacion, ku në herën e dytë kryetar i Këshillit të Nxënësve u zgjodh kandidati Drilon Deliu. Pas kësaj kandidati tjetër për kryetar të nxënësve, Samir Shabani me një grup të nxënësve e bojkotuan mbledhjen për të shfaqur pakënaqësinë lidhur me procesin.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së Këshillit të Nxënësve të shkollave ekziston udhëzuesi për Këshillat e Nxënësve për shkollat e nivelit 2 dhe 3 sipas ISCED ( Standardet Ndërkombëtare të Klasifikimit të Arsimit, parashikuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Nr.04/L-032). Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Nr. 04/L-032(Neni 18) obligon çdo shkollë që të themelojë Këshillat e Nxënësve. Në bazë të këtij udhëzuesi, përkatësisht në kapitullin “Nominimi dhe zgjedhjet”, shpjegohet procesi në fjalë në pikat:

d) Nominimi i kandidatëve për zgjedhje duhet bërë në një periudhë të arsyeshme (preferohet dy javë) para se të jenë caktuar zgjedhjet nga Këshilli Drejtues

f) I gjithë votimi duhet të mbahet me vota të fshehta dhe në frymën demokratike

Ekipi për hulumtimin e kësaj ngjarjeje ka tentuar të kontaktojë më pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, ku janë bërë disa intervista dhe janë dhënë disa deklarata nga nxënësit.

Haris Ademi, pjesëtar i grupi “Tjetërqysh” ka intervistuar Samir Shabanin i cili ishte kandidat për kryetar të Këshillit të Nxënësve. I pyetur në lidhje me reagimin e tij në rrjetin social Facebook, ai u përgjigj:

“Po, është vertetë, sepse më është bërë padrejtësi me plot kuptimin e fjalës. E pashë të arsyeshme që këtë parregullësi ta ndaj me të tjerët sepse shkelja e së drejtës së një personi është shkelje e së drejtës së një shoqërie të tërë. Sepse as edhe më i vogli detaj nuk ka shkuar në formën demokratike, që nga fillimi i fjalimit të drejtorit që gjithmonë anonte nga kundërkandidati im, e deri tek zgjedhja e tij me aklamacion.”

Ai tregoi lidhur me presionin që kanë bërë profesorët ndaj nxënësve për ta votuar njërin kandidat:

“Profesorët gjithmonë në fjalimet e tyre anonin nga kundërkandidati im dhe kjo mendoj që është në kundërshtim me rregulloren. Mësimdhënësve nuk u lejohet të ushtrojnë presion psikologjik tek nxënësit dhe të cenojnë të drejtën e tyre për votim të lirë. Votimi me aklamacion ka qenë spontan dhe nuk është paralajmëruar një gjë e tillë, por jam i bindur se ai ishte një plan i bërë më herët nga ana e tyre.”

Ai gjithashtu foli lidhur me parregullësinë edhe gjatë votimit me aklamacion dhe mendon se zgjedhjet duhet të përsëriten:

“Në herën e parë nuk arritën ta kalojnë pragun, sepse u numëruan vetëm 25 vota. Më pastaj urdhëruan për votim të dytë me pretekstin se votat nuk ishin në rregull, përderisa në herën e dytë kanë marrur pjesë në votim edhe nxënës të cilët nuk kanë qenë perfaqësues dhe nuk kanë pasur fare të drejtë vote!

Unë mendoj se zgjedhjet duhet të perseriten dhe të rrjedhin sipas menyrës demokratike në mënyrë që gjithësecili ta votojë kandidatin e tij të preferuar” – ka theksuar Samir Shabani.

Në anën tjetër, u intervistua edhe kandidati Drilon Deliu, i cili u zgjodh kryetar i Këshillit të Nxënësve në këtë shkollë. Ai foli për procesin se si është zgjedhur kryetar:

““Të enjten , datë 27/10/2016 në mbledhjen e organizuar me përfaqësuesit e klasëve , panelin e profesorëve dhe stafit drejtues të gjimnazit jam emëruar në postin e tillë . Procesi zgjedhor ishte pak i tensionuar dhe jo siç ndodh rëndom në mbledhjet e gjimnazit tonë, mirëpo në fund gjithçka u normalizua dhe shpresojmë se do përmirësohet ne vazhdim,”

I pyetur nëse zgjedhja e tij me anë të votimit me aklamacion ishte e drejtë, ai u përgjigj:

“Nuk kam informata të plota sa i përket mundësive të zgjedhjes së një kandidati për postin e tillë , mirëpo fakti që ishte një propozim nga ana e profesorëve dhe anës së stafit drejtues më bën të supozoj se mund të ishte një nga mundësitë.Gjithashtu, propozimi i tillë vinte si rezultat i vonesës në mbajtjen e nje procesi zgjedhor për shkak të angazhimeve nga ana e stafit drejtues dhe për shkak të “dëshmimit” të punës nga ana ime në rolin e ushtruesit të detyrës së kryetarit te Këshillit të Nxënësve.”

Poashtu ai sqaroi pse u votua dy herë:

“Është votuar dy herë për shkaqet e mirënjohura për të pranishmit , pasi që në herën e parë ka pasur parregullsi në votim siç ishte edhe vota nga ana e një nxënësje që bënte pjesë në grupin garues tim , mirëpo nuk kishte të drejtë vote . Me sqarimin se nuk lejohet një votim i tillë , pasi që kishte edhe zëra kundër atij akti , votohet edhe në herën e dytë ku me rregullsi të plotë 29 përfaqësues votojnë pro propozimit .Herën e parë ishin 25 vota , pa numëruar votën time dhe për arsyet e përmendura më parë dhe kundërshtimin nga ana e përfaqesuesve të pranishëm u cilësuan të parregullta.”

Lidhur me reagimin e kundërkandidatit të tij, Samir Shabanit, ai prononcoi se nuk e ka lexuar personalisht, mirëpo është e drejtë e çdokujt të shprehë opinionin e tij , gjithnjë duke qenë sa më neutral .

Poashtu pati edhe nxënës tjerë të cilët dhanë deklaratat e tyre lidhur me këtë kuvend zgjedhor:

“Fillimisht mbledhja filloi në mënyrë normale, sikurse çdo mbledhje tjetër. Normale deri në momentin kur drejtori duke mbajtur një fjalë rasti filloi në mënyrë tërthore të lobonte për kandidatin e tij të preferuar. Njejtë vepruan edhe dy profesorë të tjerë, anëtarë të këshillit të profesorëve, duke u munduar kështu që t’i bindin nxënësit se duhet të votonin kandidatin e parapëlqyer të tyre. Normalisht kjo bëri që shumica e nxënësve të ishin të pakënaqur nga kjo situatë dhe drejtori duke e parë gjendjen e krijuar propozoi, apo thënë më saktë, dha urdhër që “zgjedhja” e kryetarit të bëhej vetëm me ngritjen e dorës. Për befasinë e të gjitheve si mundet drejtori ynë të kërkojë zgjedhje me ngritje dore, mënyrë kjo që bie ndesh me parimet e demokracisë. Votimi u bë dy herë pasi herën e parë nuk u morën votat e dëshiruara, kurse herën e dytë me anë të presionit ndaj nxënësve u arrit që të arrihej numri i dëshiruar i votave. Gjithashtu, nuk u lejua që nxënësit e pakënaqur të flisnin në lidhje me atë që dukej se ishte e padrejtë. Kjo bëri që disa nga nxënësit të bojkotonin këtë mbledhje e cila u organizua me preteksin e zgjedhjes së kryetarit të këshillit të nxënësve në shkollën tonë, por në fakt nuk ishte gjë tjetër vetëm se një mbledhje ku drejtori dhe këshilli i profesorëve do të na njoftonin për vendimin që ishte marrë më herët prej tyre.” (Nxënëse nga klasa 11)

“Unë rreth procesit zgjedhor të Kryetarit të Këshillit të Nxënësve kam disa pikëpyetje rreth procesit zgjedhor.

1.Fillimisht ka qenë e ditur se janë dy kandidat për Kryetar te KNSH, dhe nuk ju dha fjala të dy kandidateve.

2.Në procesin zgjedhor është dashur që të prezantojnë të dy kandidatët planprogramin e tyre, dhe kjo ska ndodhur.

3.Është dalë në votim me aklamacion që të votohet shtyerja e mandatit të kandidatit Drilon Deliu , ku ky i fundit nuk ka qenë asnjëherë Kryetar i KNSH-së , por nënkryetar, dhe shtrohet pyetja qfarë mandati t’i vazhdohet.

4.Në herën e parë pasi drejtori vuri në votim shtyerjen e mandatit , kuvendi nuk i dha besimin kësaj ideje duke i dhënë 25 vota nga 57 sa ishin valide. Dhe përsëri pasi nuk mori besimin drejtori urdheroi për rivotim, ku pastaj u numëruan 29 vota.

E gjitha qfarë mund të thuhet është se ky proces ka qenë i parregullt dhe nuk duhet të konsiderohet si i drejtë.” (Nxënës nga klasa 12)/ tjetërqysh