E shtunë, 28 Shkurt 2026

Shpesh i parë me kuriozitet apo edhe i paragjykuar si një “metronom njerëzor”, figura e dirigjentit mbetet një element magjepsës në skenat e festivaleve tyë këngës ashtu edhe ato të muzikës simfonike.
Pyetja që lind natyrshëm është: nëse partitura përmban të gjitha udhëzimet, pse nevojitet dikush që thjesht tund krahët? Enrico Melozzi, dirigjent dhe producent i njohur italian, e krahason dirigjentin me “trurin e një pianisti”.
Edhe pse muzikantët e dinë teknikisht çfarë të bëjnë, pa një koordinim qendror do të mbretëronte kaosi. Partitura në vetvete, është një “letër e vdekur” dhe është dirigjent ai që i jep frymëmarrje, ngjyra dhe e shndërron orkestrën në një trup të vetëm tingujsh.
Historikisht, roli evoluoi me rritjen e kompleksitetit të orkestrave. Siç shpjegon profesori Daniele Agiman, dikur mjaftonte violina e parë për të mbajtur tempon, por me zgjerimin e orkestrave, lindi nevoja për një interpretues me vizion të përgjithshëm.
Muzika nuk është matematikë e pastër. Edhe kur një kompozitor si Beethoveni shkruan forte (fort) ose piano (butë), ai nuk përcakton decibelët e saktë. Këtu hyn në lojë dirigjenti, i cili vendos për dinamikat dhe emocionin, duke krijuar versione unike të së njëjtës vepër.
Komunikimi me orkestrën bëhet përmes një “esperantoje” gjestesh të kodifikuara, por që çdo dirigjent i personalizon. Disa përdorin shkopin, të tjerë si Melozzi, mbështeten te duart, sytë dhe frymëmarrja.
Agiman thekson se muzika është një proces organik: “Nëse marrim frymë së bashku, luajmë së bashku”. Pjesa më e madhe e punës ndodh gjatë provave, ku përcaktohet 99 për qind e rezultatit.
Një dirigjent i mirë vlerësohet nga aftësia për të rritur nivelin e grupit në kohën më të shkurtër të mundshme. Ai nuk është thjesht një udhëheqës teknik, por një figurë karizmatike që duhet të prekë zemrat e audiencës pa nxjerrë asnjë zë.
Në fund të fundit, dirigjenti është “zemra” e orkestrës, duke e shndërruar teknikën e ftohtë në një emocion të gjallë. /tesheshi.com/
Burimi: tesheshi
