Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës analizojnë vendimin e Kushtetueses


E premte, 25 Dhjetor 2015

Prishtinë – Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës gjatë ditëve në vijim do ta analizojnë vendimin dhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen mbi Asociacionin e Komunave serbe, por ata njëkohësisht thonë se për ta është relevante vetëm ajo për të cilën është arritur marrëveshja në Bruksel, shkruan “Novosti” i Beogradit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq ka thënë për këtë për gazetë serbe se marrëveshja duhet të përmbushet dhe se kurrfarë vendimi nuk ndryshon asgjë pa pajtimin e palëve që e kanë arritur marrëveshjen e ndër ta janë edhe ekipi negociator i Beogradit dhe BE, përcjell Koha.net.

Qeveria e Kosovës ka thënë se edhe statuti i AKS-së që do të hartohet, do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Rreth statutit, siç thonë zyrtarë serbë, do të zhvillohet një betejë e madhe politike, pasi njëri nga konkluzionet e Gjykatës ka të bëjë me statutin e të punësuarve në AKS.

Sipas mendimit të Gjykatës, nëpunësit nuk mund të trajtohen si pjesë e shërbimit civil, sepse shërbim civil trajtohet punësimi në organet qeveritare ose entitetet. E, gjatë dialogut në Bruksel, Beogradi kishte insistuar në veçanti që të punësuarit në AKS të kenë statutin e nëpunësve në sektorin publik.

Gjykata Kushtetues sugjeron që gjatë hartimit të statutit “të sigurohet respektimi i dallueshmërisë së banorëve të bashkësisë në përputhje me Kushtetutën”.

Kjo, mendojnë serbët, do të thotë që në organet e AKS-së të jenë të përfaqësuar edhe shqiptarët.

Të fundit