Përse “fishkëllejnë” atletet e basketbollistëve gjatë lojës?


E premte, 27 Shkurt 2026
Përse “fishkëllejnë” atletet e basketbollistëve gjatë lojës?

Kushdo që ka qenë ndonjëherë në një palestër me fushë basketbolli gjatë një seance stërvitore ose një ndeshje në një stadium gjysmë të zbrazët do të jetë i njohur me tingullin e pagabueshëm dhe depërtues të këpucëve të lojtarëve që “fishkëllejnë” ndërsa frenojnë në parket.

Për dekada të tëra, ky fenomen është konsideruar si “fërkim” i thjeshtë i shkaktuar nga sipërfaqet që thjesht rrëshqasin kundër njëra-tjetrës, me ndërprerje. Tani, një hulumtim i ri i kryer nga Shkolla e Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara John A. Paulson (SEAS) e Harvardit dhe i botuar në “Nature”, zbulon se realiteti është shumë më kompleks dhe magjepsës.

“Fishkëllima” apo “çjerrja” që dëgjojmë nuk është një zhurmë e rastësishme, por rezultat i impulseve që udhëtojnë me shpejtësi supersonike përgjatë shputës së këpucës. Duke përdorur kamera me shpejtësi ultra të lartë të afta të kapin deri në një milion sekuanca në sekondë, studiuesit e udhëhequr nga Adel Djellouli vëzhguan se çfarë ndodh në të vërtetë në zonën e kontaktit midis gomës së butë dhe një sipërfaqeje të fortë.

Ata zbuluan se lëvizja nuk është uniforme. Goma çahet dhe ringjitet vazhdimisht, duke krijuar fronte të shpejta shkëputjeje që përhapen përgjatë ndërfaqes. Këto pulse, të quajtura “pulse hapëse rrëshqitëse”, udhëtojnë me një shpejtësi të pabesueshme, duke iu afruar ose tejkaluar shpejtësinë e zërit.

Dhe është pikërisht frekuenca me të cilën përsëriten këto pulse, ajo që përcakton notën muzikore që dëgjojmë. Studimi zbuloi një detaj pothuajse fantastiko-shkencor: në disa raste, këto impulse shkëputjeje shkaktohen nga shkarkime të vogla triboelektrike.

Në thelb, fërkimi gjeneron rrufe në miniaturë të shkaktuara nga fërkimi i gomës. Jo vetëm kaq, por shkencëtarët kuptuan gjithashtu se gjeometria e shputave vepron si një valëpërçues.

Duke ndryshuar lartësinë e blloqeve të gomës, studiuesit ishin në gjendje të kontrollonin aq saktë frekuencën e zërit sa mund të “luanin” manualisht temën e Star Wars thjesht duke rrëshqitur mostra gome me lartësi të ndryshme mbi njëra-tjetrën.

Megjithatë, aspekti më i habitshëm i studimit është lidhja e tij me gjeofizikën. Fizikantët vunë re se dinamika e këtyre pulseve supersonike në atlete, pasqyron ato që ndodh përgjatë çarjeve tektonike gjatë një tërmeti. Thyerjet që përhapen në koren e Tokës lëvizin me shpejtësi ekstreme, njëlloj si sinjalet e zbuluara në ndërfaqen midis këpucës dhe dyshemesë.

Ky zbulim jo vetëm që do të mundësojë projektimin e materialeve të përparuara me kontroll të ndryshueshëm, por do të ndërtojë një urë lidhëse midis tribologjisë së materialeve të buta dhe dinamikës së tërmeteve të mëdha, duke demonstruar se fizika pas një koshi basketbolli mund të shpjegojë lëvizjet e Tokës. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit