Plumb në kokë shokut: “Më shau nga motra”


E enjte, 5 Dhjetor 2013

Durrës- Të rrethuar nga një jetë plot krime, armë, drogë dhe histori të fortësh, pra të edukuar, jo nga shkolla, por nga dhuna e rrugës, ata janë rritur para kohe.

Ata nuk janë më fëmijë. Flasin dhe vriten për një fjalë goje si të rriturit. “Më shau nga motra. Gjithnjë më fyente. Nuk munda ta duroj më, ndaj e vrava”. Këtë pjesë e shkëputëm nga dëshmia e nxënësit E.V. i cili pranoi mbrëmë në polici vrasjen e shokut. Në rrëfimin e tij, krimin e rëndë e justifikon me fyerjet dhe sharjet që i kishte bërë viktima A.T., 16 vjeç. Vetëm për kaq ndodhi kjo gjëmë.

Ngjarja

Vrasja u krye në mes të klasës, në sy të mësuesit dhe të nxënësve të tjerë. Nxënësi i vitit të parë është vrarë me armë dje në orën 09.45 në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. 16-vjeçari A.T ka humbur jetën menjëherë nga plumbat. Autori i vrasjes, i identifikuar me inicialet E.V., 15 vjeç, nxënës i vitit të parë i kësaj shkolle u dorëzua te policia pas disa orëve me ndihmën e familjes. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, autori ka hyrë në klasë i armatosur ka zbrazur armën në drejtim të bashkëmoshatarit dhe është larguar me shpejtësi. Sipas policisë, krimi ka ndodhur në klasën ku zhvillohet praktika profesionale e shkollës. 19 nxënës kanë qenë duke zhvilluar orën e mësimit të mekanikës në momentin që ka ndodhur vrasja. Vetëm 7 prej tyre kanë qenë nga viti i parë, ndërkohë që pjesa tjetër kanë qenë nga viti i dytë.

Mësuesi Thoma Llazari që ishte i pranishëm dhe pa vrasjen, nuk i tregoi policisë emrin e autorit, prandaj u shoqërua për moskallëzim të krimit. Ai ka vrarë shokun e shkollës, një vit më të madh në moshë. E ka goditur me plumb në kokë. E.V. mësohet se ka hyrë me vonesë në orën e praktikës. Fati ka qenë me pjesën tjetër të nxënësve, pasi arma, një tip pushke e modifikuar, nxirrte fishekët tek e tek, duke u lënë kohë nxënësve të tjerë të mënjanohen. 16-vjeçari A.T. ka humbur jetën në vend, pasi plumbi e ka marrë në kokë, ndërsa E.V. ka lënë ambientet e ofiçinës, ka hequr edhe përparësen e praktikës duke e lënë në oborrin e stërmadh të shkollës dhe është larguar. Pak metra më larg ka lënë edhe pushkën, në një stol, dhe i vetëm është larguar në drejtim të paditur.

Dorëzimi

Ai është takuar me të atin në një kafe në qendër të Durrësit, ndërsa pas të atit gjithnjë është gjendur policia. Babai e ka marrë të birin e vetëm të tij dhe e ka dorëzuar në duart e policisë. Policia ka kapur pas 7 orësh autorin e vrasjes në qendër të qytetit të Durrësit dhe ai është 15-vjeçari E.V., nxënës i të njëjtës shkollë. Kjo pas një periudhe të gjatë negociatash mes familjarëve dhe policisë, të cilat kanë bërë të mundur që ai të dalë nga vendi ku qëndronte i fshehur. Pikërisht në sheshin Iliria dhe qendrën tregtare aty afër është bërë i mundur dorëzimi i tij në organet e rendit. Ka qenë një kapje pas tratativave intensive mes dy palëve: polici-familje. Policia ka mbajtur përgjatë gjithë kohës nën kontroll aparatin e tij telefonik, duke i survejuar, jo vetëm rrugëtimin dhe vendqëndrimet por madje edhe bisedat dhe ka rezultuar se ka qenë gjithnjë i vetëm. Personi që ka mbajtur kontakt për gjatë gjithë kohës me të ka qenë vetëm babai i tij, një njeri, që sipas policisë punon shofer kamioni për të mbajtur familjen.

Nga vendngjarja në shtëpinë e Totës

Nga Shkozeti për të shkuar në shtëpinë e A.T., djalit që humbi jetën nga plumbat e shokut të tij të shkollës është rreth 8 km. Të mendosh që i mituri e ka bërë këtë rrugë çdo ditë për të marrë zanatin e mekanikut, është mjaft e habitshme. Ai ishte djali i vetëm i familjes së V. Totës, ndërsa babai i tij gjendej në Itali si emigrant prej shumë vitesh. V.Tota bashkë me dy vëllezërit e tij ishin vendosur në atë fshat të Sukthit shumë vite më parë, ndërsa aty gjendeshin vëllai i vogël i tyre me bashkëshorten, në një shtëpi, në shtëpinë e V.Totës, gruaja e tij me Adriatikun dhe dy vajza më të vogla, ndërsa në shtëpinë ngjitur ishte familja e vëllait që punon në Itali me V.Totën në të cilën banonte bashkëshortja e tij dhe një djalë i mitur. Dy vëllezërit kishin qenë në Shqipëri, pak muaj më parë, pasi që të dy kishin martuar vajzat, fëmijët e parë. A.T., 16-vjeçari që u vra dje me uniformën e shkollës veshur, ishte shpresa e atij fisi. E konsideronim si të rritur, se ashtu ishte në të vërtetë. Jam 85 vjeç dhe sa herë vija në këtë shtëpi, më dukej sikur në shtëpi kishte një zot. Ai djalë ishte si një engjëll. Unë i kam miq dhe për atë fëmijë më dhemb shpirti”. Kështu shprehet një mik i familjes, i cili edhe pse në moshë, kur fliste për A.T. të linte përshtypjen se po fliste për një bashkudhëtar të vetin. Në Rrushkull, si rrallë në ndonjë vend tjetër, nuk ke nevojë të pyesësh. Të gjithë e dinë se për ku je nisur, pasi banorët e gjithë fshatit ishin ngritur për të shkuar në shtëpinë e Totajve, ku Dylberja, nëna e A.T. qante për të birin e vetëm.

Autori pas vrasjes lë uniformën në stolat e shkollës

Kjo rrobë që shikoni në foto është uniforma e praktikës që mbante veshur E.V., e cila ditën e djeshme i shërbeu jo për të studiuar për orën e auto-mekanikës por për të fshehur armën e krimit. Ai madje e kishte sajuar të tillë pushkën, që mund ta fshihte poshtë kësaj uniforme dhe që mund të hynte me të deri në sallën ku kryenin e praktikën, duke parakaluar të paktën 300 metër me pushkën poshtë rrobës.

Ai e ka lënë uniformën në stolin, në ambientet e brendshme të shkollës, nga pas godinës dhe pak metra me larg ka lënë edhe armën e krimit me të cilën i kishte marrë jetën shokut të shkollës A.T. Autori ka qëlluar Totën në sytë e nxënësve të dy viteve, ndërsa i pranishëm në orën e praktikës ka qenë edhe mësuesi Thoma Llazari, 48 vjeç, i cili është shoqëruar orëve të mbrëmjes së djeshme si person që kishte dijeni mbi momentin e krimit. Nuk bëhet me dije nëse mësuesi do të mbahet në gjendje arresti apo do të lihet i lirë, por saktësohet se për atë ngjarje janë shoqëruar me dhjetëra persona të cilët janë lënë të gjithë të lirë.

Tahiri: Do zbardhim ngjarjen

Ministri i brendshëm Saimir Tahiri ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku ishte vrarë nxënësi i vitit të dytë të mekanikes, Adriatik Tota. Ai ka takuar grupin hetimor dhe ka inspektuar nga afër vendin ku ndodhi krimi. “Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të siguruar jetën e çdo fëmije në shkolla dhe gjithashtu është një ngjarje që duhet të na bëjë të gjithëve të ulemi një sekondë dhe të reflektojmë lidhur me sigurinë në institucionet arsimore. Kemi gjetur një situatë që nuk i përmbush kushtet e sigurisë në institucionet arsimore, kështu që jemi në fazat që po marrim hapat e duhur lidhur me masat radikale që duhet të marrim për të garantuar siguri absolute për fëmijët në shkolla. Ngjarje të tilla janë tërësisht të papranueshme për çdo prind, por tërësisht dhe të papranueshme për standartet qeverisëse.

Jemi duke punuar me kolegen Nikolli, për rikonceptimin e sigurisë në shkolla, por nuk është momenti tani të flasim për këtë gjë. Ne erdhëm këtu për shkak të vetëdijes tonë se ngjarje të tilla janë të pa pranueshme por njëkohësisht kemi bazën e domosdoshme për të iniciuar një reformë, e ritheksoj, një reformë radikale lidhur me sigurinë në institucionet arsimore. Jam informuar sapo erdha që Policia e Shtetit vazhdimisht mbante kontakte me drejtuesit e shkollës lidhur me nxënësit që mund të konsideroheshin problematikë, ngjarje tilla nuk mund të shmangen plotësisht por edhe shumë mbetet për të bërë, për të garantuar sigurinë e institucioneve arsimore”, u shpreh Tahiri dje.

Halimi: S`më përzunë, më kërkuan ndihmë

Eduart Halimi, ditën e djeshme ka mbërritur në familjen e viktimës për të dhënë ngushëllimet e tij për fatkeqësinë që iu kishte ndodhur, ndërsa akuza të ashpra për policinë kanë ardhur nga opozita përgjatë gjithë ditës së djeshme. Mirëpo në momentin që Halimi është gjendur në oborrin e shtëpisë, gjyshi nga nëna i viktimës shihen në një filmim që i ka kërkuar me tone të acaruara ish-ministrit ti ndihmonte që të tërhiqnin trupin nga morgu. Në lidhje me këtë akt ka reaguar menjëherë vetë Halimi, në faqen e tij zyrtare duke shpjeguar jo vetëm se çfarë ndodhi në atë moment në familjen e viktimës por edhe se si është transmetuar në media: “Më lajmëruan se një gazetë, pronë e dikujt që ka zakon të gënjejë, shpif dhe hedh baltë, në çdo rast e akoma më keq në çdo vdekje, edhe në ato që nuk do i imagjinoja, ka publikuar në emrin tim, mbi ngjarjen e tmerrshme të ndodhur sot, një lajm të pavërtetw si çdo gjë që shkruan çdo ditë. Gjyshi i viktimës më kërkoi të merresha për të përshpejtuar procedurat e morgut dhe të shkoja atje, ta shoqëroja për ndihmë”.

“E vrava se më ofendonte në sytë e shokëve” 15-vjeçari E.V. pasi është dorëzuar në polici ka rrëfyer edhe të gjithë skenën e konflikteve të vazhdueshme që kanë gjeneruar mes dy adoleshenteve. Në ligjëratë të drejtë Edrini iu ka thënë policëve: “Prej shumë kohësh më shante nga familja. Kulmin e arriti pak ditë më parë kur më shau edhe motrën. Unë vetëm një motër kam. Kisha menduar shumë se si të hakmerresha ndaj tij. Dje kam vendosur ta vras, pasi më tha në sy të shokëve: e di ti, mos e harro atë muhabetin. Atëherë kam vendosur se do ta vrisja. Kam marrë armën. E kisha fshehur në tokë. I kam hequr tytën që të ishte e shkurtër, i kam hequr pjesët metalike që mos të ishte e rëndë dhe e kam futur poshtë rrobave derisa kam ardhur tek ofiçina.

E kam mbajtur poshtë krahut që të mos më dallohej nga nxënësit e shkollës dhe nga mësuesit, ndërsa e kam qëlluar sapo e kam parë të veçuar prej të tjerëve. Nuk i kam thënë askujt për planin që kisha, por nuk mund ta durojë më”. Ky është rrëfimi tronditës i nxënësit të vitit të parë të shkollës “Bedri Çela”, i cili ka udhëtuar me pushkën e fshehur poshtë rrobash që nga shtëpia e tij e deri në ofiçinën e shkollës. Paçka se shkolla ishte e rrethuar, adoleshenti ka kaluar derën dhe ka ecur rreth 300 metër për të shkuar në vendin ku e dinte që do të gjente shënjestrën e tij, te cilit kishte vendosur t`i merrte jetën. Referuar të dhënave të policisë së Durrësit, bëhet me dije se djali ka pranuar në polici që gjithë aktin e vrasjes e ka menduar i vetëm dhe se nuk ka asnjë bashkëpunëtor tjetër në krim.

Pasioni për armët dhe poezia për hashashin

A.T., 16-vjeçari i cili humbi jetën dje, pasi u qëllua me plumb nga E.V., një shok i shkollës së tij, në Shkozet të Durrësit në profilin e tij në Facebook ka listuar dhe pasionet për muzikën rep, armët dhe hashashin. Edhe pse vetëm 16 vjeç, Tota në foto del me një armë shotgan, si dhe në shoqërinë e një të njohuri me automatik. I riu njihej dhe si adhurues i rrymës muzikore rep dhe hip hop, ku në postimet e tij të fundit në faqen e Facebook ka vendosur dhe një poezi kushtuar hashashit.

Modifikimi i armës nga 15 vjeçari

Policia ka sekuestruar armën e krimit. Mësohet se është një tip pushke, model i vjetër. Armës i janë hequr disa pjesë, akt që duket që e ka kryer vetë E.V, pasi ai ka demonstruar edhe para policisë një njohuri perfekte përsa i përket armës. Arma është çmontuar nga pjesët metalike, i është shkurtuar edhe qyta, me qëllim që mos të dallohej poshtë rrobave. 15 vjeçari ia ka arritur qëllimit. Ai ka treguar se armën e mbante të fshehur në tokë dhe se kishte kohë që e posedonte. Sipas tij për këtë armë nuk kishte dijeni asnjë person i familjes së tij dhe as shokët, edhe pse në faqen e tij të Facebook, E.V. duket si një i pasionuar jo vetëm pas armës si lodër, por edhe pas dhunës. Janë një sërë postimesh në faqen e tij edhe në gjuhën angleze që tregojnë se E.V. ka hobi përdorimin e armëve për vrasje.

Në familjen Tota

Ndërsa policia zgjedh një mënyrë për të bërë të mundur dorëzimin e të miturit, autor të krimit, në Rrushkull morti dhe zija s`kanë kufij. Në familjen Tota, mungon kryefamiljari, mungon edhe xhaxhai i madh, që mund të ishte në vendin e tij; aty askush nuk di të presë as të përcjellë; të të thotë se çfarë ka ndodhur. Janë mbledhur shumë burra të fisit dhe vendosin: “Deri në mesnatë vjen V.Tota. Atëherë do të vendosim për varrimin; paçi faqen e bardhë, do iu njoftojmë”. Të atit, që i ishte vrarë djali i vetëm, i duhej të shkonte në Romë të merrte linjën e avionit, pasi asnjë lloj linje tjetër nuk mund të gjendej për në Tiranë, për të ardhur në kohën e duhur, për të parë për herë të fundit të birin e vetëm të tij.

Makina e funeralit sapo kishte sjellë trupin e pajetë në shtëpi, ndërsa kuja e vendosur në atë shtëpi bënte të dridheshin burrat: “Askush nuk di se çfarë ka ndodhur. Këta njerëz kurrë nuk kanë patur probleme me njeri. S’e dimë as kush e ka vrarë, se nuk na ka ardhur kush në shtëpi të na e thotë një gjysmë fjale”. Vetëm kaq dinë të thonë njerëzit e afërt të Veli Totës, ndërsa politika nga Tirana në vendngjarje foli për orë të tëra për aktin e rëndë dhe të paprecedentë./shekulli/