Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Presidenti: E kam konfirmimin, SHBA-ja do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel

Prizren Post | 14:04 - 30.11.2017

“Dialogu tashmë po hyn në një fazë të re dhe zonjës (Federica) Mogherini i nevojitet e gjithë mbështetja. Prandaj është e domosdoshme që Amerika të ketë rolin e saj në këtë proces”, ka thënë Thaçi në një intervistë për portalin me bazë në Beograd Remarker (remarker.media).

“Roli i tyre është të sjellin më shumë besueshmëri, besim dhe qëndrueshmëri në proces”, tha Thaçi.

I pyetur se kur do të krijohet Asociacioni i komunave serbe, ai është përgjigjur “Sa më shpejt, aq më mirë në përputhje me ligjet e Kosovës, dhe ky është një detyrim ndërkombëtar që mori në Bruksel”.

Numri një i Kosovës njëherësh iu ka bërë thirrje të gjithë serbëve të larguar që të kthehen në Kosovë.

“Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’i akomoduar ata dhe t’i integrojmë në shoqërinë kosovare”, tha kreu i shtetit në këtë intervistë.

Ai ka deklaruar, po ashtu, se ftesa për presidentin serb Aleksandar Vuçiq për ta vizituar Prishtinën është “gjithmonë e hapur”.

“Unë nuk kam marrë ftesë për të vizituar Beogradin, por unë jam i gatshëm të vij kur kjo ftesë arrin. Nëse takohemi nëpër kryeqytete të botës, pse të mos takohemi në kryeqytetet e dy vendeve tona, në Prishtinë dhe Beograd”, ka thënë Hashim Thaçi.
Duke folur për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, ai tha se themelimi i asaj gjykate ishte “një veprim i papëlqyeshëm në Kosovë”.

Ai i quajti akuzat për trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë “një fantashkencë”.

“Këto akuza janë fantashkencë, kjo nuk ndodhi kurrë. Kjo ishte një gënjeshtër e tmerrshme, një lajm i fabrikuar që është projektuar vetëm për të tërhequr vëmendjen”, ka deklaruar ai. 


Etiketa:
Arivisti Company