Sfidë, zbatimi i legjislacionit për qasje në dokumente zyrtare


E premte, 13 Shtator 2013

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi theksoi të premten se Ligji për Qasje në Dokumente Publike siguron të drejtën e secilit për qasje në dokumentet zyrtare të institucioneve publike, por sipas tij një sfidë më vete përbën, megjithatë, zbatimi rigoroz dhe i plotë i këtij legjislacioni.

Kryeparlamentari këto komente i bëri në konferencën me temë: “Qasja në informata, këshilla dhe ndihmë aktive”, mbajtur në Prishtinë, organizuar nga Programi për të Drejtat Civile në Kosovë.

Ai tha se Kushtetuta dhe korniza ligjore e Kosovës kanë sanksionuar të drejtat dhe liritë e njeriut sipas standardeve dhe instrumenteve ndërkombëtare. Sipas tij, hartimi i legjislacionit dhe zbatimi praktik i tij është mbështetur bujarisht edhe nga donatorë të shumtë të vendeve mike dhe organizatave ndërkombëtare.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka përcaktuar parimet themelore për ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët dhe garanton të drejtën e qasjes në dokumente publike. Ndihma juridike falas sigurohet sidomos për qytetarët pa mjete të mjaftueshme financiare, me qëllim të një qasjeje të barabartë dhe efektive në drejtësi”, tha ai.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për ndihmë juridike falas, me të cilin është themeluar Agjencioni për

Ndihmë juridike falas, si institucion qeveritar që në partneritet me Shoqërinë Civile mbështet qytetarët në nevojë, e sidomos të papunët, personat me aftësi të kufizuara, gratë, fëmijët, të moshuarit etj.

“Në të kaluarën, regjimi pushtues caktonte mbrojtës, sipas detyrës zyrtare dhe gjoja falas, madje edhe për të burgosurit politikë, por në të shumtën e rasteve, këta ‘mbrojtës’, për t’i hyrë na hatër pushtetarëve, merrnin më shumë rolin e prokurorit se të avokatit”, u shpreh Krasniqi.

Në Kosovë funksionon suksesshëm edhe institucioni i pavarur i Avokatit të Popullit, i cili është themeluar mbi bazë të Kushtetutës dhe ligjit, për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e cenuara, sidomos nga administrata shtetërore.

Ndërkaq, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, siguron të drejtën e secilit për qasje në dokumentet zyrtare të institucioneve publike.

“Një sfidë më vete përbën, megjithatë, zbatimi rigoroz dhe i plotë i këtij legjislacioni. Shoqëria e Kosovës ka nevojë, gjithashtu të përmirësojë në vazhdimësi legjislacionin e qasjes në informata, në dokumente publike dhe për këshilla e ndihmë aktive si dhe të shtojë mekanizmat implementues dhe të ngritë kapacitetet e tyre”, tha ai.

Të fundit