Shqiptarët dhe tradita perëndimore 20-vjeçare


E hënë, 17 Tetor 2016
Haris ADEMI

Haris ADEMI

“Ndalet para sportelit të biletave:
-Mirëdita! A keni një biletë për në perëndim?”

Jemi aq shumë të dhënë pas se bukurës së natyrës! E duam shumë qiellin e kuqërremtë në mbrëmjet verore ku dielli është gati të fshihet, dhe frymëzohemi e shkruajmë për perëndimin. Shumë njerëz që shkruajnë si puna ime, i duhet patjetër një çast i tillë që të frymëzohet e ta marrë lapsin në dorë. Por ka edhe më të apasionuar! Pasionantët bashkëkohorë të perëndimit, jo vetëm nga qielli me bukurinë e tij të mbrëmjes, por edhe nga toka e perëndimit, nga kultura, nga dukja e nga gjuha…

Kur ndryshon sistemi në një vend, ndryshon edhe historia. E kur ndryshon historia hapen shumë rrugë të keqpërdorimit të mundësive dhe përfitimeve individuale-klanore të interesgjinjëve. Në shqiptarinë tonë të dashur e të bekuar shkelën këmbë të perandorive nga më të ndryshmet, nga romakët e deri te Carat me përmendore në sheshet tona, të mbretërve nga më të ndryshëm, të grupeve e organizatave nga më të lloj-llojshmet. Të gjitha kanë një histori që neve na u servohet në versione të ndryshme. Normalisht: i forti gjithmonë fiton! Por, kurrë në këtë histori tonën të lavdishme, të përvuajtur, të dredhuar e të devijuar, shqiptarët nuk kanë qenë më të pasionuar ndaj perëndimit sesa 20 vitet e fundit, me theks të veçantë vitet e pasluftës 1999.

Shqiptari u dashurua verbërisht! Ngadale po transformohet, po ndryshon dukjen, sjelljen, të menduarit. Nga “plisi i bardhë” tek kapelat “BULLS” e “NYC”. Nga tirqit tek farmerkat e ngushtë e të harrnuar. Nga burrat me mjekërr tek “babyfaces” me vetulla të kufizuara. Nga mafesi i ndershëm tek minifundet… Për 20 vite po bëhet më perëndimor se vetë perëndimori. Për 20 vite po mundohet të bëhet si ai që e kultivon kulturën e tij që nga shekujt më parë. Qe 20 vite e këndej po mundohet të bëhet më katolik se Papa, më jahudi se jahudia, më ateist se ateisti. Qe 20 vite shkrimtari shkruan veç për diellin në perëndim, duke harruar se ai lind diku. E ka ndarë qiellin më dysh e i thurrë fjalët më të bukura vetëm njërës pjesë. Dashuria e verbon njeriun dhe nuk mund t’i shohë anët negative të saj. Se kur u mboll gjithë kjo farë ndjenje nuk mund ta kuptoj ende!

Por mos të harrojmë se jemi pasardhës te rapsodëve që nga zemra e plasur këndonin “Moj Evropë moj shtrigë e vjetër”, e pastaj pazaret e 1913-shit të Londrës. Atëherë ishim të ndryshëm nga ta saqë me ironi na patën quajtur “njerëz me bisht”. Por njeriu dashurohet, dhe shkrimtari në letrën e tij shkruan vetëm për të bukurën.

Unë e dua shumë lindjen e diellit, se pa të ai nuk do të kishte perënduar asnjëherë. Dhe e dua shumë perëndimin, sepse pa të dielli nuk do të lindte kurrë përsëri. Unë qëndroj në mes dhe i shikoj të dyja me ëmbelsi. Dhe shkruaj për to. Dhe të bardhën, të bardhë e quaj. Edhe të zezën, të zezë e quaj. Dhe unë nuk e ndaj qiellin më dysh! Frymëzohem nga bukuritë e të dyjave.

“Ndalon para sportelit ku shiteshin biletat: -Një biletë për në perëndim, ju lutem! Dua të shkoj t’iu tregoj atyre sa ngjajmë me njëri-tjetrin. Qe 20 vite punoj në këtë drejtim. Shpresoj të ma pëlqejnë mundim tim!”

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.