S’ka ushtri të mirëfilltë pa buxhet


E enjte, 6 Mars 2014

Realizimi i vendimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës që u mor të martën nga kryeministri Hashim Thaçi, do t’i marrë kohë Kosovës së paku një dekadë.

Ekspertë të sigurisë nuk janë optimistë se Kosova mund ta përmbyllë procesin e formimit të plotë të ushtrisë para dhjetë viteve.

Eksperti i sigurisë Naim Maloku, konsideron se shtetit të ri i nevojitet shumë buxhet dhe ekspertë për të menaxhuar me pajisje ushtarake, shkruan “Tribuna”.

Sa i takon asaj se pse nuk është quajtur ushtri por Forcë e Armatosur, ai mendon se nuk ka ndonjë dallim të madh, përveç modernizmit të terminologjisë. “Mendoj se nuk ka ndonjë dallim të madh mes Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura. Ushtria është pjesë e Forcave të Armatosura të një shteti. Varet prej terminologjisë se si e përdor një shtet.

Por, mendoj se neve shqiptarëve të Kosovës na kish shkua për shtati më tepër terminologjia Ushtri, pasi e keni parasysh se prindërit tanë kanë shkuar ushtar, apo më parë ‘asqer’ dhe termi ushtri do të cilësohej më ngushtë i lidhur me ne”, ka thënë Maloku. Sipas tij, vendimi i Qeverisë për formimin e FAK-ut është pozitiv, megjithëse ambiciet kohore për ta bërë funksionale FAK-un janë joreale. /Telegrafi/

Të fundit