Suksesi i doktoreshës shqiptare në Harvard, Intervistë me Dr. Ersida Buraniqi


E martë, 11 Korrik 2017

Ersida Buraniqi, vajza shqiptare që sot është në majat e suksesit të mjekësisë në univesitetin më prestigjoz në botë, Harvard University në Shtetet a Bashkuara të Amerikës.

Intervistoi: Sokol BRAHAJ – Besa Time

BRAHAJ: ERSIDA DUKE PARË SPECIALIZIMIN TËND PYETJA E PARË ËSHTË KJO: PËR TY MJËKESIA A ËSHTË THJESHTË HUMANITY APO ËSHTË VETË ERSIDA?

Buraniqi: Mjekësia ka marrë nismen si pasion i fëmijërisë, për tu kthyer në atë që di dhe dua të bëj më mirë. Vendosja e subjektit human në qendër, në raport me pacientin, me sëmundjet, me luftën e individit për shërim, së bashku me vetë tablonë fizike, janë dhe kanë qënë për mua ndër udhërrëfyeset më besnike. Mjekësia nuk mund të analizohet pa figuren e mjekut, e as mjekët pa disiplinën e mjekësisë. Janë një duo që njëhesohen me kohën e me marrdhëniet me pacientët e shkencën.

BRAHAJ: ERSIDA NE NJIHEMI PREJ VITEVE. TË KUJTOHET QË NE SI UNIONIN STUDENTOR SHQIPTAR-TURQI JEMI MBURRË GJITHNJË ME SUKSESIN TEND POR EDHE DIASPORA SHQIPTARE E TURQISË ËSHTË NDIER KRENUAR ME TY DHE SUKSESIN TËND, DIKUR NË ISTANBUL UNIVERSITY E SOT NË HARVARD. ME KAQ SUKSES QË KA NJË VAJZË SHQIPTARE PËRSE NUK TE SHOFIM NË MEDIAT E BOTËS SHQIPTARE, A NUK DESHIRON TI VETE APO ËSHTË IFRIORITETI I MEDIAS SHQIPTARE?

Buraniqi: Përfaqësimi në mediat shqipetare për mua nuk ka qënë as prioritet as ngurrim. Për sa i përket qellimit tim primar për të ndarë historinë time me të rinjte shqipëtare që aspirojnë një rrugëtim të ngjashëm me timin, jam përpjekur që të takohem me grupe studentesh gjatë kohës së limituar që shkoj në Shqipëri për pushime. Gjithashtu jam fokusuar të jem e pranishme që ti përgjigjem pyetjeve dhe nevojave të tyre akademike e klinike. Por mund të them që media shqiptare duhet të jetë më e ndjeshme ndaj sukseseve dhe talenteve shqiptarë nëpër botë. Eshtë një përgjegjësi kolektive si dhe ku e drejton publikun dhe komunitetin. Sot ka shumë shqipëtare në botë të cilët me dinjitet e sukses e mbajnë lart flamurin dhe identitetin shqipëtar. Une jam krenare për to, ashtu sic duhet të jetë krenare Shqipëria ime dhe media shqipëtare.

BRAHAJ: E LINDUR NË JERUZALEMIN E SHQIPTARËVE, PRA NË SHKODËR, KE STUDJUAR NË ISH-QENDRËN E BOTËS, DHE TANI NË MAJAT E QENDRËS SË BOTËS GLOBALE, PRA NË AMERIKË, UNË SI VELLAI YT A DO E KEM SHNACIN TË TË SHOF NJËHERË DR. ERSIDEN DUKE ME VIZITUA MUA NE SPITALET E SHKODËR LOCËS TIME?

Buraniqi: Si mjeke pediatre neurologe, ndoshta jo juve, por fëmijët ose femijët e femijeve tuaj, pse jo, me kënaqesinë më të madhe. Të jap kontributin tim në mjekësi dhe shkencë në Shkodër locen, në Shqipëri dhe në trevat tona Shqiptare ka qënë dhe mbetet një dëshirë e synim. Shkodra di si askush tjetër të të ftojë me aromë karafilash e të të mbajë me art e muzike.

BRAHAJ: KA PAK KOHE QE SJEMI PA BASHKË, NË USA A TË ËSHTË DHËNË MUNDËSIA ME SHKUA NË STADJUM APO NË PARADEN SHQIPTARE ME FLAMURIN TONË KOMBËTAR, SIÇ SHKOJSHIM NË STAMBOLL?

Buraniqi: Shumë kujtime të shtrenjta kam nga Stambolli. Ju dhe Unioni Studentor Shqipetar në Turqi keni qënë gjithmonë të pranishëm me organizimet tuaja për ti shtuar ngjyra eksperiencave tona atje. Këtu mund të thëm kam qënë me pak e pranishme në organizime të tilla, por ka qënë dhe është krenari për mua të përfaqesoj flamurin shqipëtar në shkencë e mjekësi aty ku emri shqipëtar gumezhin, ose edhe nuk është dëgjuar asnjëherë.

BRAHAJ: NE FAKT NGAQË PLAGËN E KEMI TË NJOMË DO TA BEJ NJE PYETJE PËR SHOQEN, MIKEN, MOTREN TONË, SHEMBULLI SI BIJE SHQIPE E STAMBOLLIT, EDITA JONË… TANI SOT TË ISHIM TË TRE BASHKË, NË AMERIKË, NË STAMBOLL, NË IZMIR APO DHE NË SHKODREN TONË… POR AJO UDHËTOI NË JETËN E AMSHUESHME SHUMË PARA KOHE, MERZITI FAMILJEN TË AFËRMIT, NEVE E TË GJITHË ATA E ATO QË E DOJSHIN DHE I DONTE… AJO DO TË JETË ME NE SA TE JEMI GJALLË…ÇFARË DO TË THUASH PËR MOTRËN TONË EDITEN DHE FAMILJEN E SAJ?

Buraniqi: Përkundrazi, të falendëroj për këtë pyetje, Sokol. Individë të tillë si mikja jonë, Edita, dijnë vetem të zbukurojnë e të japin ngjyra. E ndjej shumë afër, e sidomos buzëqeshjen e pozitivitetin e saj. E kam përjetuar lajmin, me të njejtin intensitet që ne përjetonim sa hërë ajo ishte e pranishme. Ndoshta vendodhja ime në anën tjetër të oqeanit, ka ndihmuar që ende të mos ta pranoj plotësisht këtë realitet. Edita ishte dhe është nje mike e vyer, nga ato që qesh e qan së bashku. Sa për familjen e saj, kam pasur fatin ti njoh nga afër. Ishte lehtësisht e dallueshme që mirësia kishte mbetur në familje. Është një plagë që s’di të shërohet humbja e një fëmijë, por ato sot kanë kujtimet plot jetë të Editës, të kësaj vajze të dashtun shkodrane, mike, moter, bijë, që ka ditur si askush tjetër t’ju bëj ditët më të bukura e më të paqta njerezvë që kishte perreth.

BRAHAJ: ERSIDA TANI KA NJË SUKSES PËRSONAL, NË FAKT ËSHT PO AQ DHE FAMILJAR E KOMBËTAR. SI E ARRITE KËTË? DHE ÇFARË KËSHILLË MUND TË NA JAPËSH PËR TË RINJTË E TË REJAT SHQIPTARE NË ARRITJEN E NJË SUKSESI TË TILLË?

Buraniqi: Besoj shumë ne fuqinë e njësisë së familjës në edukimin, progresin dhe rritjen morale e shpirtërore të individit. E unë kam pasur fatin të kem një familje që është dhe ka qënë burimi dhe guida ime në cdo hap të këtij rrugëtimi. Mbaj mend një fëmijëri të mbushur me dashuri e me libra. Kur nuk ishim duke lexuar Migjen-in, Hygo-në, Balzak-un e Shopenhauer-in, dëgjonim harmoninë e Bach-ut dhe serenatat e Shubert-it, ose konvertonim shtëpinë në një laborator mbushur me ca epruveta të vjetra e faqe eksperimentesh nga librat e biologjisë ose kimisë. Sukseset janë gjithmonë të bukura të festohen, por duhet të pranohet fakti që ekziston një punë e palodhshme, sakrifica, dështime, durim e shumë studime pas tyre. Ekselenca akademike dhe kontributi për shoqerinë janë dy nga shtyllat e synimeve të mia. Të rinjve dhe të rejave shqiptare mund tu them që tu qendrojnë besnikë kornizave të tyre të referencave e vlerave, dhe të njihen me termin e të hequrit dorë, por asnjëherë mos ta konsiderojnë si zgjedhje. Të njohin artin e të negociuarit, por asnjëherë mos-zgjedhen më pak se më të mirën e tyre. Mos kini frikë të deshtoni, sidomos në shkencë, sa me herët të dështosh, aq më shpejt mund të arrish drejt rezultateve edhe me interesante. E pasi te gezoni frytet e punës suaj, mos u verboni nga drita e sukseseve. Mbeshtetini ato në një përspektivë progresive, dhe mendoni për hapin tjetër më të mire. Jini kuriozë për të zgjidhur fjalitë që mbarojnë me një pikëpyetese. Besimi i pacienteve është shpërblimi më i madh që mund të keni. Edhe kur vdekja të këtë fituar do provoni respektin e tyre, sepse ju i keni shërbyer vetë jetës.
E më e rëndësishmja, mbajini gjithmonë afër ato qe ishin pranë jush gjatë rrugetimeve tuaja, familja, miqtë e mirë e mësuesit që ju kanë inspiruar dhe sfiduar për të shkëlqyer. Ato të cilët kur ju jeni në skenë qendrojnë në hije, duartrokasin e mbeshtesin arritjet tuaja më fort se të gjithë. Jepini pasurinë tuaj më te vyer, kohen!

BRAHAJ: NUK PO TË PYES GJËNDJEN AKTUALE TË MJEKËSISË E SPITALEVE SHQIPTARE, POR PO TË PYES A DO KTHEHESH NË SHQIPËRI ME NDA PERVOJAT E SUKSESIT TEND ME KOLEGËT TU NË MEMËDHEN TONË?

Buraniqi: Vetë origjina e fjalës akademi është e lidhur me tejcimin e dijës dhe aftësive. E ku ka kënaqesi më të madhe se të japësh kontributin tënd në vëndin e lindjes. Kam shumë shpresë për sistemin mjekësor në Shqipëri, por jam e vetedijshme që aq shumë duhet të kem edhe planë e projekte për të ndihmuar në drejtimin që kam dëshirë të marrë ky sistem. Uroj që në artikullin tjetër të flasim për suksesin e këtyre projekteve që sot kanë marrë format e para, duke prioritizuar rritjen e kualitetit të nivelit akademik dhe shkencor në vend.

BRAHAJ: ÇDO MJEK BËN BETIMIN E HIPOKRATIT: DO BËJ VEÇ TË MIREN, HUMANEN DHE MË TË DREJTEN PËR PACIENTIN. PO KËSHTU DHE NE GAZETARËT BETOHEMI NË RRJEDHIMIN E LAJMIT TË DREJTË DHE E MBAJMË SHUMICËN E RASTEVE. POLITIKANËT BETOHEN NË ÇDO GJË POR NDOSHTA SITUATA SJUA LEJO MUNDESINË ME I MBAJTË TË GJITHA BETIMET. GABIMI NË LAJM MUND TË FUSI NË SHERR NJË QEVERI, GABIMI I POLITIKANI MUND TË FUSI SHTETIN NË LUFTË(!), NDËRSA NJË GABIM I VOGËL NË PUNËN TËNDE MERR DIREKT NJË JETË NJERIU. TANI SA MBARUAN ZGJEDHJET NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVE, PO ASHTU DHE NË MAQEDONI U FORMUA QEVERIA. DOKTORESHA SHKODRANE ERSIDA, STAR NË HARVARD, STAR NË STAMBOLL, SI E SHEF POLITIKEN KOMBËTARE, TË ARDHMEN E SHQIPËTARËVE? GABIMET E POLITIKANËVE? KU DUHET TË JEMI NE SHQIPTARËT ERSIDA?

Buraniqi: Politikën gjithmonë e kam konsideruar si shumë larg të qenurit udhëheqëse e aristokracisë së shpirtit. Politika shqipëtare është një adoleshent në një krizë identiteti që ka filluar më heret së bashkëmoshatarët, por me ekzistencen e besimit që një ditë shumë shpejt do fitojë maturitetin e shumëpritur. Politika ka qënë dhe është pjesë retorike e jetës së shqipëtarëve gjatë gjithë historisë. Duhet theksuar që nuk kemi kohë për t’u përfshirë në luksin e qetësisë, apo për të marrë ilaçin qetësues për t’i lënë gjërat të ecin gradualisht. Uroj që rezultatet e zgjedhjeve ti shërbejnë shqipëtarëve, dhe të jenë për të gjithë një mësim mbi vleren e zgjedhjeve dhe demokracisë.

BRAHAJ: KU DO E SHOFIM DR. ERSIDEN PAS 5 APO 10 VITEVE? A DO E KESH DEREN HAPUR PËR SHQIPTARË KU DO TË JETË NË BOTË?

Buraniqi: Besoj e uroj që do jem duke ushtruar profesionin si mjeke pediatre neurologe e duke hulumtuar në neuroshkencë. Në esencen e karrierës time qëndron dhe mësimdhënia në disiplinën e mjekësisë dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në botë për një shërbim mjekësor të kualifikuar. I detyrohemi fëmijëve asgjë me pak se më e mira për to.
Shqipëtarët kanë qënë, janë dhe do jenë gjithmonë të mirëpritur. Që pemët të gjelbërojnë lart, rrënjët duhet të ushqehen me dozen e vazhdimësisë.

BRAHAJ: ERSIDA NJË MESAZH SHKURT PËR FAMILJEN TËNDE, POR, TË JETË ME RËNDËSI E DOMËTHËNIE DHE SHEMBULL PËR FAMILJET SHQIPTARE?

Buraniqi: Sa më shumë udhëtoj, aq me shumë e kuptoj që në jetë mund të ndërtosh folë në vende të ndryshme, por shtëpi do quash gjithmonë vendin ku ke lindur dhe ku ndodhet familja jote. Përveç se qenuri njësia themelore e shoqërisë, është një ndër strehet më të ngrohta që ekziston. Mesazhi për familjen time do hapet gjithmonë me nje falënderim nga ato të thellët e të heshturit. Kush jam sot, ose kush aspirohem te bëhem neser, iu atribuoj kryesisht atyre! Falëminderit që keni ditur të ishit burim, urë mbi ujëra të trazuara, e që i keni falur gjithmonë besim zgjedhjeve të mia. Uroj që çdo fëmijë të ketë një strehë të ngrohtë familjare me të njëjtën dashuri, pasuri shpirtërore, libra e art, ashtu sic ju më keni falur mua. Nena ime gjithmonë më thotë: “Nuk ka rëndësi çfarë bën në jetë, mjafton qe çdo ditë të bësh më të mirën tënde, dhe kjo ti shërbejë shoqërisë”. Ky postulat më shoqëron gjithmonë, dhe është kthyer në sloganin e ditëve të mia.

BRAHAJ: TANI KAM NJË PYETJE NGA SHOQËRIA JOTE KU TË PYESIN SE KUR DO E PIMË KAFEN ME SHOQEN TONË DR. ERSIDËN. NË FAKT BËHET FJALE JO VEÇ PËR NJË, POR, PËR NJË KAFE NË SHKODER, TIRANË, PRISHTINË, SHKUP, PREVEZË, MITROVICË, VLORË, FILAT, MANASTIR, PRESHEVË, PRIZREN, SANXHAK, PLAVË E GUCI, TUZ E ULQIN, KRUJË, DIBER, PREKAZ, TETOVË, KORÇË PO ASHTU DHE NË NGUSHTICËN E BOSFORIT SE BASHKU ME UNIONIN STUDENTOR SHQIPTAR?

Ersida pasi qesh duke kujtuar ditët e bukura me shoqërinë thotë:

Buraniqi: Do jetë për mua ndër turet më të zgjeruara në Shqipëri dhe trevat shqipëtare, por pse jo, më shumë knaqësi e mallë. Këtë herë më lejo të jap disponimin tim, e për specifikat e kohës të diskutojmë në vazhdim. Falënderimet e përgëzimet e mia për mbeshtjetjen që i bëni Unionit Studentor Shqipëtar. Mbaj mend shumë mirë udhëtimet tuaja të shpeshta e të palodhura nga Izmiri në Stamboll për të qënë i pranishëm në organizimet e eventet e ndryshme.

BRAHAJ: DR.ERSIDA EDHE UNË SI MË I VJETRI I GRUPIT NA DUHET ME JU PËRGJEGJUR FTESËS SË SHOQËRISË, DHE I BIE QË DO E PIMË KAFEN NË TË GJITHË SHQIPËRINË ETNIKE QË NA E KA FALË ZOTI. KËSAJ I THOJNË QË DO LODHESH PËR SHOQËRINË E VJETËR?

Buraniqi: Më ngjan me një plan të realizueshem. Le të ftojmë edhe pjesëtarët tjerë që janë larg, dhe të kujtojmë kohët e vjetra. Vetem më lejoni pak kohë sa për të kaluar oqeanin.

BRAHAJ: DR.ERSIDA CFARË BËN NË KOHËN E LIRË?

Buraniqi: Më pëlqen shumë të shkruaj, poezi, skica letrare ose prozë. Ndjenjat, momentet, qënia njerëzore është më e afërt e më lehtesisht e kuptueshme kur shkruaj. Shpesh dërgoj kartolina apo letra të afërmve e miqve të mi, më ngjan kjo me një mënyrë për të mos humbur kuptimin social të jetës. Sot rrëmbehemi në thjeshtësinë e dukshme për të komunikuar, dhe e lejojmë këtë të fundit të jetë sipërfaqësore. Kemi nevojë për më shumë thellësi shpirtërore dhe kuriozitet shkencor!

BRAHAJ: FALËMINDERIT PËR INTEVISTEN, TË UROJ SUKSESE TË MËTEJSHME.
7/7/2017 Harvard, Boston, SHBA.

Etiketa: , ,