Thaçi i bindur se Kuvendi do të vazhdojë së punuari


E enjte, 22 Tetor 2015

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi është shprehur i bindur se puna në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë së funksionuari.

Ai në një deklaratë për Indeksonline nga Parisi ka thënë se nesër pret një reflektim në kuptimin e punës normale në Kuvend, dhe se kjo do të ishte më e mirë për të gjithë.
“Pres reflektim në kuptimin e punës normale në Kuvendin e Kosovës, kjo do të ishte përgjigjja dhe sjellja më adekuate , më e qytetëruar dhe e dëshirueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe partnerëve tonë ndërkombëtar, çdo qasje tjetër do të ishte e gabueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Thaçi.

Ai më pas ka shtuar se në parlament duhet të sjellën idetë dhe projektet e jo armët dhe dhuna.

“Problemi qëndron tek veprimet fizike bllokuese opozitare, Veseli ka qenë shumë tolerant mirëkuptues ka treguar kulturën e vet të lartë politike që të shtensjonojë situatën, kuvendi do të vazhdojë së punuari, kryesia ka bërë mirë që ka caktuar për këtë të premte seancën e kuvendit”, u shpreh Thaçi.

Zv/kryeministri më pas ka folur edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ku është shprehur i bindur se Kosova me datën 9 nëntor do të jetë anëtare e plotë e UNESCO-s.
“Angazhimi i jonë që të anëtarësohemi në UNECO ka qenë që një kohë të gjatë. Besoj që votimi i djeshëm e ka hapur një perspektivë pothuajse të sigurt që Kosova definitivisht me datën 9 nëntor të anëtarësuari në UNESCO. Dëshiroj ti falënderojë të gjitha vendet mbështetëse dhe të gjithë ata njerëz në Kosovë që janë angazhuar për këtë proces”, tha Thaçi për Indeksonline.

Thaçi theksoi se dje ka qenë një betejë e fituar por nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar dhe se do të punojnë maksimalisht që në Asamblenë e Përgjithshme ti fitojnë 2/3 sikurse që i kanë fituar dje në Bordin Ekzekutiv dhe të shënojmë edhe këtë sukses të ri të Kosovës.

“Mund të ketë pengesa dhe vështirësi nga Rusia dhe Kuba por mendoj se mbështetja e vendeve tona mike është mbështetje e fuqishme, dje kanë votuar për edhe disa nga vendet që ende se kanë njohur Kosovën. Por ajo që është me rëndësi është se dje partnerët tanë kanë argumentuar në mënyrë substanciale nevojën dhe domosdoshmërinë e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, si një shtet i ri si një shtet multietnik që respekton trashëgimin kulturore të të gjithë njerëzve në Kosovë, edhe atë serbe edhe të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Thaçi.

Etiketa: ,
Të fundit