Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Thaçi së shpejti do të marrë vendim për dekretimin e zgjedhjeve

Prizren Post | 15:08 - 22.08.2019

PRISHTINË – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri”.

“Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka thënë Thaçi, transmeton Klan Kosova.

Në kumtesën e Presidencës thuhet se këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

“Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës”.


Etiketa:
Arivisti Company