Turizmi pa mushkonja nis nga Butrinti në Sarandë


E hënë, 19 Maj 2014

Pompe mevpresion

Në kuadër të masave të rritjes dhe sigurimit të cilësisë për sezonin turistik veror, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) ka nisur procesin e dezinsektimit të zonave bregdetare, i cili do të jetë i vazhdueshëm dhe do të shtrihet në zonat problematike të territorit të Shqipërisë.

Pikërisht, ditën e djeshme, procesi i dezinsektimit nisi në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe rrethinat e tij. Insektet që do të asgjësohen janë ato lloj insekte, që në gjuhën shkencore njihen si vektorë. Vektorët janë insekte, të cilat janë mbartëse të sëmundjeve. Për të qenë më të saktë, dezinsektimi është përqendruar kundrejt mushkonjave. Përpos faktit të neutralizimit të çfarëdolloj mundësie për të shpërndarë sëmundje të padëshirueshme, asgjësimi i mushkonjave do të bëjë që turistët të mos bien më preh e pickimeve të bezdisshme, gjë që e kthen periudhën e pushimit në një përvojë jo shumë të këndshme.

Projekti “Procesi i dezinsektimit, që po ndërmerret nga Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm që do të minimizojë ndjeshëm përqendrimin e insekteve të dëmshme (mushkonjat), por nga ana tjetër ky proces nuk shkakton asnjë dëm anësor mjedisor dhe shënjestron vetëm ato”, – thotë për gazetën “Shekulli” zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, e cila ishte e pranishme, së bashku me funksionarë të ISHP-së, për të vëzhguar më afër ekipet e specialistëve, që kishin filluar punën në terren. Gjithashtu, ajo dha edhe koston e këtij projekti të ndërmarrë nga Shëndetësia.

“Kostoja e projektit të dezinsektimit për këtë vit, për të gjitha zonat e planifikuara, kap shifrën e rreth 500 mijë dollarë”, – thotë zv.ministrja Ekonomi dhe shton: “Ajo që dua të theksoj për procesin e dezinsektimit është se metoda e përdorur nuk shkakton asnjë dëm mjedisor me pasoja negative për bimësinë apo faunën. Ky është një proces i vazhdueshëm, i cili do të zgjasë gjatë gjithë vitit. Pritet që të vazhdojë edhe për 5 vitet e ardhshme. Pra këtu kemi të bëjmë me monitorimin e vazhdueshëm për të mbajtur në minimum popullatën e insekteve të dëmshme”. Ajo thotë se hera e fundit, që u ndërmor një projekt i tillë, për të zgjidhur problemin e mushkonjave nëpër zonat bregdetare, ishte para rreth 23 vitesh, por vetëm këtë herë po përdoret një metodë, e cila ka një vazhdimësi afatgjatë dhe e trajton problematikën në thelb. Rëndësia Kreu i bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, i pranishëm gjithashtu në zonën e Butrintit, ku por kryhet dezinsektimi, e ka cilësuar këtë nismë të Qeverisë, si më të rëndësishmen për Sarandën. “Është një investim, që ka vite, të cilën ne nuk e shohim në Sarandë. Prandaj e shikojmë si një ndër investimet më të rëndësishme të Sarandës. Sepse bregdeti ynë gjithashtu, duhet të pastrohet edhe të mirëmbahet”, – theksoi përpara mediave kryebashkiaku Çipa. Gjithashtu, ai nënvizoi se pushteti vendor ofron mbështetjen e plotë për këtë proces të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë. Dezinsektimi i zonave bregdetare është një nga 4 masat, për të cilat është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të 48 masave të rritjes së cilësisë së turizmit, për zbatimin e të cilave është ngritur me urdhër të Kryeministrit, Task Forca e Menaxhimit Turistik. Masat e tjera për të cilat është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë janë: rritja e prezencës së shërbimit ambulator në zonat turistike, në plazhet e populluara, kontrolle për një higjienë të lartë në subjektet turistike, restorante e struktura akomoduese; dhe bërja e analizave të detit në zonat e përcaktuara si plazhe publike./shekulli/

Të fundit