E mërkurë, 5 Gusht 2026

Telenovela për emrin në fanellë ka marrë fund. Portieri i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, do të mundë të vazhdojë të luajë me pseudonimin e tij të famshëm edhe te Colo Colo, pasi Federata Kiliane e Futbollit (ANFP) e ka bërë një përjashtim të veçantë nga rregullorja.
Rregullat e kampionatit kilian parashikojnë që futbollistët ta mbajnë mbiemrin në fanellë dhe jo pseudonime.
Megjithatë, popullariteti i jashtëzakonshëm që Vozinha e fitoi gjatë Kupës së Botës 2026 bëri që drejtuesit e Colo Colos ta kërkonin një leje të posaçme, përcjell “Gazeta Express”.
Kërkesa u pranua dhe portieri 40-vjeçar do të vazhdojë ta mbajë në shpinë emrin “Vozinha”, me të cilin është bërë i njohur në mbarë botën.
Vendimi pritet të ketë ndikim edhe në aspektin komercial, pasi klubi synon të përfitojë nga popullariteti i madh i portierit dhe shitja e fanellave me emrin e tij.
Vozinha u bë një nga figurat më të dashura të Botërorit 2026 falë paraqitjeve fantastike me Kepin e Gjelbër, duke e tërhequr vëmendjen e tifozëve në mbarë globin.
Pas përfundimit të turneut, ai nënshkroi me gjigantin kilian Colo Colo me një kontratë gjashtëmujore dhe opsion rinovimi edhe për një vit tjetër.
Burimi: 04online
