YTB paralajmëron studentët e huaj në Turqi në lidhje me FETO-n


E premte, 5 Gusht 2016

bulbul

Ankara – Kryetari i Drejtorisë së Turqve në Botë dhe Komuniteteve Mike (YTB), Kudret Bülbül paralajmëroi se studentëve të huaj të cilët ndjekin studimet në Turqi për të cilët zbulohet të kenë lidhje me Organizatën Terroriste FETO do t’u ndërpritet bursa dhe se në bashkëpunim me institucionet policore do të deportohen në vendet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Bülbül u prononcua për gazetarin e AA-së në lidhje me masat që YTB i ka marrë kundër FETO-s.

Duke theksuar rëndësinë që studentët ndërkombëtarë që ndjekin studimet në Turqi duhen informuar drejtë në lidhje me procesin pas puçit të dështuar që u realizua më 15 korrik nga FETO, Bülbül u shpreh se “Besojmë se njohja e kësaj organizate terroriste nga studentët e huaj është e rëndësishme për ta dhe shtetet e tyre. Në kuadër të kësaj, në bashkëpunim me OJQ kemi organizuar dhe po vazhdojmë të organizojmë mbledhje për informimin e studentëve. Po ashtu, studentët tanë po i informojmë hollësisht edhe në lidhje me aktivitetet e FETO-s në pozitat zyrtare në shtetet e tyre.”

Bülbül me theks të veçantë tha se FETO posaçërisht përpiqet t’i shfrytëzojë studentët e huaj në Turqi për shkak të aktiviteteve të saj në fushën e arsimit. “Në mënyrë që studentët tanë të mos jenë pre e aktiviteteve të kësaj organizate, është e rëndësishme vigjilenca ndaj këtyre shfrytëzimeve. Për këtë arsye, kërkuam nga studentët tanë që çdo abuzim që vjen nga kjo strukturë ta paraqesin në njësitet tona policore apo në drejtorinë tonë”, tha Bülbül.

– Do t’u ndërpritet bursa studentëve që kanë lidhje me FETO-n

Bülbül rikujtoi se ofrojnë bursa për pesë mijë studentë çdo vit dhe se në 95 pika nëpër botë shkojnë për të zhvilluar intervista me aplikantët, duke theksuar se njëri nga kriteret më të rëndësishme në intervista është që aplikantët të mos kenë lidhje me asnjë shkollë që vepron nën çatinë e FETO-s.

Duke theksuar se anëtarë të FETO-s përpiqen që të abuzojnë me studentët që vijnë për të studiuar në Turqi përmes bursave të YTB-së, Bülbül ndau informacionin se pas 15 korrikut shumë studentë kanë filluar t’i braktisin banesat që i përkasin kësaj organizate terroriste.

“Në periudhën pas kësaj, po i kryejmë me shpejtësi procedurat e nevojshme në lidhje me studentët për të cilët është zbuluar se kanë lidhje apo kanë bashkëvepruar me këtë organizatë terroriste”, tha Bülbül, duke shtuar se studentëve për të cilët zbulohet të kenë lidhje me FETO-n do t’u ndërpritet bursa aty për aty dhe në bashkëpunim me institucionet policore do të deportohen në vendet e tyre.

Bülbül shtoi se po ashtu po zhvillojnë punime të hollësishme me universitetet ku studiojnë studentë të huaj përmes bursave të YTB-së dhe se në ditët në vijim do t’i shfaqin me detaje punimet që i kanë realizuar në lidhje me FETO-n.

– Bursat e YTB-së

YTB është drejtori në kuadër të kryeministrisë e cila ofron pesë mijë bursa në vit për studentë ndërkombëtar. Këtë vit janë bërë 95 mijë aplikime, pa përfshirë studentët e Sirisë. Pas aplikimit të studentëve sirianë, pritet që ky numër të arrijë në 100 mijë.

Ndryshe, shuma e bursës së ofruar për studentë deridiplomikë arrinë 650 lira, për studentët master 850 dhe për studentët në doktoraturë 1.200 lira, ndërkohë që bursa për hulumtime kap shumën prej tre mijë lirash.

Krahas kësaj, drejtoria studentëve u siguron edhe strehim, sigurim shëndetësor, kurs parapërgatitor të gjuhës turke, si dhe mbulon të gjitha shpenzimet nëpër universitete.