Ky zakon i gjumit mund të përmirësojë shëndetin e zemrës tuaj


E martë, 7 Prill 2026
Ky zakon i gjumit mund të përmirësojë shëndetin e zemrës tuaj

Një studim i ri mbi gjumin dhe zakonet e tij, ka një mesazh të qartë për ata që duan të ulin rrezikun e problemeve të mëdha kardiovaskulare, siç është ataku në zemër ose goditja në tru: përmbajuni një orari të rregullt fjetjeje.

Ndërsa kërkimet shpesh përqendrohen te cilësia dhe kohëzgjatja, studiuesit nga Universiteti i Oulut në Finlandë, zbuluan se të shkosh në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë është po aq e rëndësishme, veçanërisht nëse nuk flini më shumë se tetë orë.

Studiuesit matën aktivitetin e 3.231 individëve në moshën 46 vjeç përmes pajisjeve gjatë një jave. Kur pjesëmarrësit që flinin më pak se tetë orë u ndanë në grupe (të rregullt, mjaft të rregullt dhe të parregullt), të dhënat treguan se ata në grupin e parregullt kishin dyfishin e rrezikut për një ngjarje serioze kardiake gjatë dekadës së ardhshme, krahasuar me ata që flinin rregullisht.

Po ashtu, u pa se më shumë ndryshueshmëri në “pikën e mesme” të gjumit (mesi midis kohës së gjumit dhe zgjimit) ishte gjithashtu e lidhur me shëndet më të keq të zemrës.

Studiuesja Laura Nauha, shpjegon se rregullsia pasqyron ritmet e jetës së përditshme. Megjithatë, ekziston një paralajmërim: ky rrezik u shfaq vetëm te ata që flinin më pak se sasia mesatare (tetë orë).

Duket se gjumi i mjaftueshëm ndihmon në mbrojtjen nga efektet negative të një orari të çrregullt. Interesante është fakti se orari i zgjimit nuk dukej se kishte rëndësi. Lidhja ekzistonte vetëm për ndryshimet e mëdha në kohën e shkuarjes në shtrat.

Në grupin e atyre me një rregjim gjumi të parregullt, ndryshueshmëria mesatare gjatë javës ishte 108 minuta, krahasuar me vetëm 33 minuta në grupin e të rregulltve.

Shkencëtarët mendojnë se ritmet tona cirkadiane – ciklet natyrore njezëtekatër orëshe të trupit – e shpjegojnë këtë lidhje. Ndryshimi i vazhdueshëm i orarit i prish këto ritme, duke mos i lejuar zemrës periudha të duhura pushimi dhe rikuperimi.

Gjithashtu, një rol luajnë edhe faktorë të botës reale si stresi i punës dhe shëndeti mendor. Sëmundjet kardiovaskulare, mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në nivel global, me pothuajse 18 milionë vdekje në vit.

Gjetjet e këtij studimi, të publikuara në BMC Cardiovascular Disorders, na kujtojnë se stabiliteti i rutinës sonë është një mjet i fuqishëm për parandalimin e sëmundjeve të rënda. /tesheshi.com/


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit