SHBA godet një anije që trafikonte narkotikë në Paqësorin Lindor, vriten 2 persona


E shtunë, 25 Prill 2026
SHBA godet një anije që trafikonte narkotikë në Paqësorin Lindor, vriten 2 persona

Ushtria amerikane ka njoftuar se ka kryer një sulm “vdekjeprurës” ndaj një anijeje në Oqeanin Paqësor Lindor, duke vrarë dy narko-terroristë të dyshuar, transmeton Anadolu.

Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM) në rrjetin social amerikan X pretendoi se inteligjenca ka identifikuar anijen duke operuar përgjatë “rrugëve të njohura të trafikut të drogës” dhe duke u përfshirë aktivisht në operacione të dyshuara të trafikut të narkotikëve.

Sulmi u urdhërua nga gjenerali Francis L. Donovan, komandant i SOUTHCOM-it dhe u krye nga Forca e Përbashkët Operative kundër asaj që u përshkrua si një anije e operuar nga një “organizatë e shpallur terroriste”.

“Dy narko-terroristë meshkuj të dyshuar u vranë gjatë këtij veprimi”, tha komanda.

Operacioni erdhi si pjesë e intensifikimit të aktivitetit ushtarak nga administrata e presidentit Donald Trump në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor që nga shtatori i kaluar, në emër të luftës kundër trafikut të narkotikëve.

Autoritetet thonë se të paktën 163 persona janë vrarë që nga fillimi i operacioneve.

Kritikët thonë se këto sulme përbëjnë ekzekutime jashtëgjyqësore, ku të akuzuarit nuk kanë mundësi të mbrojnë veten ose të provojnë pafajësinë e tyre para se të vriten.

Ata gjithashtu argumentojnë se faljet e dhëna nga presidenti Trump për trafikantë të dënuar të drogës tregojnë se ai nuk është vërtet i interesuar në luftimin e tregtisë së paligjshme të drogës.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit