E mërkurë, 13 Maj 2026

Marrëveshjet e imponuara që mbjellin farërat e luftërave të ardhshme
Nga Ranjan Solomon, Middle East Monitor
Lufta rrallë mbaron kur njëra palë shpall fitoren. Ajo përfundon kur kostoja e konfliktit i tejkalon përfitimet e kompromisit. Përballja aktuale midis SHBA-së dhe Iranit ka arritur në këtë prag kritik.
Ajo që nisi si fushatë “presioni maksimal”, po shndërrohet në një provë të durimit strategjik. Ndërsa Uashingtoni kërkon paqe sipas kushteve të veta, Teherani këmbëngul se një paqe pa drejtësi është thjesht dorëzim.
Pavarësisht armëpushimit të brishtë që nisi më 8 prill, tensionet në Ngushticën e Hormuzit mbeten të larta. Marina Amerikane raporton bllokimin e anijeve cisternë iraniane, ndërsa Garda Revolucionare (IRGC) pretendon se ka zmbrapsur shkatërruesit amerikanë.
Kjo shoqërohet me një “luftë memesh” teknologjike, ku inteligjenca artificiale po përdoret për të helmuar atmosferën diplomatike. Donald Trump deklaron se bisedimet po shkojnë mirë, por kërcënimet e tij me “dëme të mëdha” dëshmojnë të kundërtën.
SHBA-të synojnë mbylljen e luftës, rihapjen e Ngushticës dhe frenimin bërthamor. Megjithatë, qasja e Trumpit do të funksiononte vetëm nëse Irani do të ishte në gjunjë. Realiteti është ndryshe: Teherani qëndron i palëkundur, duke kërkuar një marrëveshje që garanton dinjitet.
Kushtet e Iranit për arritjen e një marrëveshjeje janë paraqitur në terma të prerë dhe konsiderohen të panegociueshme për sovranitetin e tij. Teherani kërkon njohjen e plotë të të drejtës për pasurimin bërthamor dhe refuzon çdo kufizim mbi programin e tij të raketave, duke cituar nevojën për respekt të ndërsjellë.
Kjo shoqërohet me kërkesën për dëmshpërblime financiare për dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore amerikane dhe izraelite, si dhe sigurimin e garancive ndërkombëtare detyruese kundër agresioneve të ardhshme.
Për më tepër, Irani këmbëngul në kontrollin e plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, heqjen e të gjitha sanksioneve parësore dhe dytësore, si dhe largimin e bazave ushtarake amerikane nga vendet e rajonit.
Po përse Trump ka nevojë për një marrëveshje të shpejtë? Së pari, konflikti ka kaluar limitin 60-ditor të lejuar nga ligji amerikan, duke kufizuar autoritetin e tij pa miratimin e Kongresit.
Së dyti, pretendimet se shumica e raketave iraniane u shkatërruan po rezultojnë të pasakta, ndërsa lufta po bëhet një gropë financiare. Bllokada e Hormuzit ka goditur tregjet globale të energjisë, duke rritur presionin mbi administratën përpara takimeve diplomatike me Kinën.
Në aspektin e brendshëm, Trump po përballet me zgjedhjet e mesmandatit dhe presionin ekonomik. Ai ka vendosur tarifa të reja për të mbrojtur industrinë amerikane, por lufta mbetet një pengesë për axhendën e tij.
Ai po mbështetet te Pekini për të bërë presion mbi Teheranin, por iranianët besojnë se qëndrueshmëria e tyre mund t’i rezistojë Uashingtonit. Për IRGC-në, konflikti i zgjatur forcon kontrollin e tyre të brendshëm, duke i bërë rezistentë ndaj kërcënimeve.
Historia tregon se marrëveshjet e imponuara mbjellin fara për luftëra të ardhshme. Paqja do të bëhet e mundur vetëm kur realizmi t’i bëjë vend drejtësisë dhe dorëzimi i pretenduar t’i lërë vendin respektit të ndërsjellë. /tesheshi
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
