Arrestohen dy persona, dyshohet se tjetërsuan 18 prona në Prizren me vlerë milionëshe


E mërkurë, 20 Maj 2026
Arrestohen dy persona, dyshohet se tjetërsuan 18 prona në Prizren me vlerë milionëshe

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas forcave të rendit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një pune hetimore disa mujore, sipas PO “Pronat në Prizren”, ka realizuar urdhër për kontroll dhe sekuestrim të Përkohshëm në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, urdhër ky i lëshuar nga Gjykata Themelore Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.

“Lidhur me rastin janë kryer kontrolle me qëllim të sigurimit të provave dhe dëshmive, ku janë shoqëruar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kishin arritur të falsifikojnë dokument-letërnjoftimin e Serbisë të viktimës e cila kishte vdekur disa dekada më herët dhe duke e prezantuar në mënyrë fiktive person tjetër kanë bërë marrëveshjen e procedurës se ndërmjetshmit tek ndërmjetësuesi, dhe përmes kësaj marrëveshje për ndërmjetësim me kërkesë në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit kanë arritur t’i tjetërsojnë 18 prona/parcela prej rreth tre 3.60ha që gjenden në një fshat në Prizren me vlerë rreth 1.000.000.00 milion euro.”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se pas kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar si dëshmi një lop-top, dy telefona, 14,600.00 euro, si dhe dokumentacion të ndryshëm që mund të shërbejë si provë në procedurë të mëtejme.

“Personat e përfshirë dyshohen për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ neni 414, “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 i KPRK-së, veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme“ nga neni 395, veprën penale nga neni 31 “Bashkëkryerje” i KPRK-së, ku njëri nga ta me urdhër të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje, një u lirua në procedurë të rregullt kurse personi tjetër gjendet në kërkim policor.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit